Janë publikuar sot pesë skenarët e së ardhmës së Bashkimit Europian që Komisioni Europian ka përgatitur në atë ashtëquajturën “Letra e Bardhë”, e cila do u prezantohet të gjithë lidërve në samitin që do të zhvillohet pas disa ditësh.
Media “Politiko” ka publikuar dokumentin e komisionit ku pesë skenarët janë emërtuar: 1-“Vazhdimësia”; 2-“Asgjë, përveç tregut të përbashkët”; 3-“Ata që duan më shumë, të bëjnë më shumë”; 4-“Duke bërë pak dhe në mënyrë efikase”; 5-“Të punojmë më shumë së bashku”.
Këto skenare pritet të formësojnë atë që do të jetë BE-ja deri në vitin 2025, raporton Newsbomb.al.
1-“Vazhdimësia”
Ky skenar parashikon vazhdimin e agjendës aktuale të BE-së, me pak ndryshime në funksionimin e unionit, gjendje që po kritikohet nga shumë njerëz. Deri në vitin 2025 me këtë skenar 27 vendet anëtare (Pa Britaninë e Madhe) fokusohen në vendet e punës, rritjen e investimeve duke forcuar tregun e përbashkët dhe duke rritur investimet në digjitalizimin, transportin dhe infrastrukturën energjitike.
2-“Asgjë, përveç tregut të përbashkët”
Tregu i përbashkët të rikthehet në qendër të agjendës së BE-së. Ky skenar nënkputon se pikëpamjet mes vendeve anëtare për çështjet në zhvillim zgjidhen në diskutime dypalëshe. Të drejtat e qytetarëve që rrjedhin nga ligjet e BE-së mund të kufizohen. Vendimet mund të bëhen më të thjeshta për t’u kuptuar, por mundësia për të vepruar së bashku limitohet.
3-“Ata që duan më shumë, të bëjnë më shumë”
Uniteti i 27 vendeve anëtare ruhet, ndërkohë bashkëpunimi më i thellë është i mundur për ato shtete që e kërkojnë diçka të tillë. Të drejtat e qytetarëve që rrjedhin nga ligjet e BE do ndryshojnë në varësi të shtetit që ka zgjedhur të bashkëpunojë më shumë me institucionet në Bruksel. Njihet ndryshe si "Europa me disa shpejtësi".
4-“Duke bërë pak dhe në mënyrë efikase”
Bashkimi Europian fokusohet në çështje të caktuara për të rritur efikasitetin dhe shpejtësinë e realizimit të reformave, ndërsa fokusohet më pak në çështjet e tjera. Një ndarje e qartë e prioriteteve dhe përgjegjësive do të ndihmonte qytetarët për të kuptuar më mirë se çfarë vendoset në nivel europian, kombëtar dhe rajonal. Megjithatë, kjo paraqet sfidë në dakordësimin e 27 anëtarëve se cilat do të konsiderohen si çështje prioritare.
5-“Të punojmë më shumë së bashku”
Në skenën ndërkombëtare, Europa flet dhe vepron e përbashkët për çështjet e tregtisë dhe ka një përfaqësues për forumet ndërkombëtare. Parlamenti Europian thotë fjalën e fundit për marrëveshjet ndërkombëtare të tregtisë. Në bashkëpunim të plotë me NATO-n, krijohet Unioni i Mbrojtjes Europiane. BE udhëheq luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe forcon rolin si donatorja më e madhe botërore në ndihmën humanitare.
Qytetarëve u sigurohen më shumë të drejta nga ligjet e BE-së. Megjithatë kjo mund të rrisë kundërshtinë për zbehjen e rolit të shteteve kombëtare.