Hapësire reklamuese

OpEd

Publicistika e viteve 1920-40, periudha më e artë e shtypit shqiptar

Shkruar nga Newsbomb

Nga Engjëll Serjani

Në periudhën midis viteve 1920-1940, një falangë e shquar gazetarësh dhe mendimtarësh brilantë shqiptarë, të organizuar rreth gazetave dhe revistave më të rëndësishme të kohës si: “Demokratia” e Gjirokastrës, “Përpjekja shqiptare”, “Neoshqiptarizma”, “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Minerva”, “Koha”, etj., u përpoqën që përmes përkushtimit të tyre intelektual të realizonin një ripërtëritje apo një Rilindje të Re Kombëtare të orientuar për nga kultura, mendimi dhe Perëndimi.

Idetë progresive, kurajoja dhe bota e tyre krejt e veçantë mendore, në kontrast me gjendjen ekonomike dhe sociale të asaj kohe në Shqipëri, solli në mjedisin shqiptar një erë të re, që pa më të voglin dyshim mund të konsiderohet si periudha më e artë në krejt historinë e shtypit shqiptar të të gjitha kohërave.

Gazetaria dhe publicistët e asaj periudhe të artë publicistike, janë shembulli më origjinal i kristalizimit në Shqipëri të një tendence të pastër intelektuale që synonte analizën e aktualitetit të asaj periudhe, rindërtimin historik të së shkuarës dhe një orvajtje e guximshme për të vendosur bazat e zhvillimit në të ardhmen.

Albanologu i njohur dr. Robert Elsie, duke marrë parasysh konsolidimin e vonuar të Shqipërisë si shtet dhe në zhvillimin e saj të ngadalshëm politik, kulturor dhe ekonomik, pikërisht këtë periudhë historike dhe kulturore e përkufizon thjesht dhe qartë, si: “koha e artë” dhe “rruga e modernitetit” në historinë shqiptare.

Nëse kjo lëvizje e “zhurnalistëve” të rinj shqiptarë, me kreativitetin dhe inovacionin e tyre, sa modernist aq edhe tradicional, që në atë kohë mori pamjen e një shpërthimi mediatik, duhet pranuar se publicistika e lëvruar në rajonin jugor të Shqipërisë, gazeta “Demokratia” e Gjirokastrës dhe kontributet e disa prej publicistëve që e nisën “përpjekjen e tyre shqiptare” në organet që u botuan në këtë rajon, mund t’i konsiderojmë pa hezitim si “kapsula donatore” e këtij shpërthimi intelektual.

Është befasuese për çdo studiues dhe hulumtues që shfleton faqet zverdhura nga koha të koleksioneve të gazetave që janë botuar në Jug të Shqipërisë në periudhën 1920-1940, si: “Drita” e Veli Hashorvës (doli në Gjirokastër 1920-1924), “Demokratia” e Xhevat Kallajxhiut (doli Gjirokastër më 28 Nëntor 1925 dhe vijoi deri më 1939, “Labëria” dhe “Ideja kombëtare” (që dolën në periudhat kur censura ndërpreu botimin e gazetës “Demokratia”), “Fletore Popullore e Politike Kombëtare”, (doli në Gjirokastër për herë të parë më 27 mars 1920-1924), “Epoka e re” e Halit Tuqit (doli më 23 prill 1939, në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në italisht), e përjavshmja “Bisedë e lirë” dhe gazeta politiko-shoqërore “Fletore popullore” e Petro M. Haritos (doli në Gjirokastër me dy dhe katër faqe më 3 nëntor 1923), “Neoshqiptarizma”, dhe “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit, “Liceisti”, e shumë gazeta të tjera lokale që dolën në Delvinë, Përmet, Labëri, Libohovë, Himarë e gjetkë. Këto janë dëshmitë e para të një gazetarie ndryshe nga tradita e deriatëhershme romantike dhe e mitizuar e Rilindjes Kombëtare.

Në kolonat e këtyre gazetave dhe përtej rreshtave, tek idetë e reja të botuesve dhe autorët artikullshkrues si, Branko Merxhani, Jorgji Meksi, Xhevat Kallajxhi, Vangjel Koça, Petro Marko, Nonda Bukla, Veli Hashorva, Petro Harito, Ismet Toto, Ibsan Libohova, Avni Rustemi, Ikbale e Nebil Çika, Sali Nivica, Lumo Skëndo, Mihal Grameno, Omer Nishani, Bajo Topulli, Mihal Zallari, Odise Paskali, etj., dallohej qartazi se një rrymë e re intelektuale po depërtonte në shoqërinë shqiptare në periudhën mes dy luftërave botërore. Për ideatorin e platformës ideologjike të “neoshqiptarizmës” Branko Merxhani, Shqipëria ishte një qenie e kufizuar së jashtmi dhe e pakufishme së brendshmi, përkufizim që përcjell shpresën se Shqipëria mund të bëhej, por me njerëz që sipas tij, citoj Merxhanin: “gjysma e ditës është e tyre dhe gjysma e shoqërisë”, ku qytetari, “jep më shumë dhe kërkon më shumë”. Merxhani dhe kolegët e tij intelektualë dhe idealistë, nisën fillimisht ta promovojnë formulën e tyre të “neoshqiptarizmit” nga Gjirokastra në vitin 1929 në gazetën lokale “Demokratia” dhe më pas në vitin 1936 e vijuan në revistat “Neo-Shqiptarizmi”, “Përpjekja Shqiptare”, Minerva”, etj., që nisën të botohen në Tiranë.

Formulat e neoshqiptarizmit kishin për bazë filozofinë e nacionalizmit ideologjik me përmbajtje më shumë kulturore dhe më pak politike. “Politikë s’ka! Vetëm kulturë!”, shkruante Merxhani. “Me kohë, shkruan albanologu Robert Elsie, neoshqiptarizmi u bë një kundërpeshë e ideologjisë më të politizuar socialiste dhe internacionalizmit të majtë”.

Sidoqoftë, krahas linjave dhe orientimit politik, filozofik dhe qytetërues, gazetat ndaleshin edhe në ndodhitë e ditës. Në kolonat e gazetës së Gjirokastrës “Demokratia”, pronë e botuesit Xhevat Kallajxhi, një nga më të parat dhe më jetëgjatat e kësaj periudhe, mund të lexosh me kërshëri e endje edhe sot krejt mozaikun e larmishëm të jetës së atëhershme. Kush u martua dhe kush u divorcua, kush u transferua, u shkarkua, apo u emërua, kush lindi fëmijën e parë dhe kush fëmijën e tetëmbëdhjetë, kush vdiq e kush u vra, kush hyri dhe kush dolli nga Shtatë Penxheret (burgu), kush emigroi dhe kush u atdhesua, kush shet dhe kush kërkon të blejë një kafshë dore.

Kur u zhvillua ndeshja e parë e futbollit e ekipit të “Shqiponjës”, kur dr. Vasil Laboviti që ishte diplomuar për mjekësi në Vjenë zhvilloi operacionin e parë kirurgjikal, kur u shfaq filmi i parë në kinemanë e Qani Ficos, kur u hap Liceu Francez, kur Dino Çiço do të përfundonte dhe do niste fluturimin me aeroplanin e tij me krahë, por pa karburant, kur do nisej dhe do mbërrinte sata (autobusi i linjë Tiranë- Gjirokastër), kur do të nisej për në Amerikë pampori i ngarkuar me djathë të shoqërisë “Delja” të Karagjozatëve. Të “shtatë “Ë”- dabëllju-të” e teorisë së sotme të gazetarisë që ne i mësuam pas vitit 1990, do t’i gjesh në rubrika e kronika të shkurtra dhe konçize informative, shkruar dhe redaktuar me etikë dhe profesionalizëm të lartë nga kjo kastë e gazetarësh brilantë.

Nga pena dhe gazetarë të dorës së parë në faqet dhe kolonat e këtij shtypi do të gjesh të lëvruara me mjeshtëri të gjitha gjinitë publicistike, si editoriali, eseja, fejtoni, artikulli, “trafileti”, reportazhi, vëzhgimi social dhe analiza politike, studimi dhe dijet shkencore, humori dhe satira, karikatura dhe fotografia, njoftimi dhe reklama, etj. Ajo publicistikë, në tërësinë e saj, përbën periudhën më të ndritur të medias shqiptare në 100 vitet e fundit, sepse shënoi fillimin e dialogut të shqiptarëve me vetveten, dialog që u ndërpre nga lufta dhe diktatura dhe që ende mungon në jetën politike dhe intelektuale shqiptare.

Gjirokaster, 1940 - Ne qender me kapele ne dore, Xhevat Kajallxhiu, I pari djadhtas, me mustaqe Shefqet Sadulla (Agaraj)

Gjirokaster, 1940. Ne kete foto jane identifikuar dy personalitete:

Ne qender me kapele ne dore,  Xhevat Kajallxhiu (1904-1989), botues i gazetes "Demokratia", ne Gjirokaster, 1925-1936, gazeta me cilesore. Pas vitit 1944 ne Amerike, prane Zerit Amerikes,  redaktor i "Diellit" etj

I pari djadhtas, me mustaqe Shefqet Sadulla (Agaraj), (1892-1972). Personalitet i veçant, drejtues i nenprefekturen Tepelene 1924-26, pjesmarres ne shume aktivitete patriotike sidomos per hapjen e shkollave shqipe  etj.

Ne se dikush identifikon personazhet e tjere, mund te komunikoj. (Fotografia,  nga Bardha Kasteriot,Agaraj, mbesa e Shefqet Sadullaut).

Sondazh

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar barbarisht mbrëmjen e së hënës nga disa persona. Për shkak të një shkrimi botuar në gazetën lokale për ekipin e Kastriotit.

Sakaq, ka reaguar demokrati Genc Pollo që akuzon qeverinë për mosmarrje dënimi apo solidarizim për rastin në fjalë.

Pollo thotë se liria e shtypit ka rënë poshte.

“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, shprehet deputeti në një deklaratë për mediat.