Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, tha se qeveria nuk po përfill opozitën në disa akte.
Në fjalën e saj në Këshillin e Integrimit Evropian, Açka u shpreh se mazhoranca nuk po bashkëpunon me deputetët e PD, duke shtuar se “opozitën nuk mund ta ndajnë si tortë”.
“Këtu opozita nuk përfillet dhe e njëjta procedurë është në disa akte, ja jemi te reforma territoriale, ndërkohë mazhoranca e ka thënë që do vazhdohet me të njëjtën reforma, po atëherë pse po punojmë me gjithë këto njerëz, ose do bashkëpunosh me opozitën, o jo, nëse doni opozitën për të ndarë tortë, ajo nuk është këtu. Ne na kanë rrjedhur në 10 vite, 450 mijë shqiptarë dhe unë si një njeri që nuk kam një xhaketë të bukur politike, kam turp që jetoj në një kohë kur Shqipëria kalon në një proces erozioni demografik, duket sikur politika është një akt kaq serioz sa nuk i takon më politikanëve”, u shpreh deputetja Açka.