Hapësire reklamuese

Politikë

Pse nuk u kujtua askush për themeluesit e FRESSH dhe kryetarin e parë Ilir Zela

Shkruar nga Newsbomb
Pse nuk u kujtua askush për themeluesit e FRESSH dhe kryetarin e parë

Forumi Rinor Eurosocialist i Shqipërisë, FRESSH festoi dy ditë më parë 32 vjetorin e themelimit, mes një organizimi të ngushtë që përfshiu disa nga politikanët më të njohur të Partisë Socialiste, por nuk "u begenis" nga Edi Rama.

Ashtu si çdo vit, politikanët socialistë që merren me organizimin e festës së Forumit Rinior, edhe këtë herë janë harruar ata që janë themeluesit e vërtetë dhe kryetari i parë i kësaj lëvizje, Ilir Zela.

Më poshtë, po risjellim një shkrim të Haki Morinës, ndër themeluesit e parë të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë, shkruar më shumë se një dekadë më parë, në 20 vjetorin jubilar të themelimit të FRESSH.

Haki Morina, 20 Janar 2012

Kam dëgjuar shpesh pasaktësi në prezantimin e historisë së themelimit të FRESH-it dhe s'kam reaguar asnjëherë, sepse ishin të tjerë bashkëthemelues që vazhduan dhe qëndruan në këtë organizim dhe drejtpërdrejtë në krejt proceset politike të mëvonshme në Shqipëri. I larguar nga Shqipëra për arsye të ndryshme, ndër to edhe arsyet ekonomike dhe si i arratisur nga Kosova për shkaqe politike, unë e vazhdova aktivitetin tim aty ku e kisha lëne, në organizimin ilegal, i cili bënte përpjekje për të formuar formacione çlirimtare.

Kjo nuk më ka penguar të interesohem vazhdimisht për zhvillimin e këtij organizimi rinor, i cili luajti rol të rëndësishëm politik gjatë viteve 90-të dhe për krijimin e të cilit punova me tërë fuqinë time. Shfrytëzoj rastin të falenderoj familjet e një numri të madh socialistësh apo eurosocialistësh të Tiranës të cilët gjatë tërë kohës (afër një vit e gjysmë) më strehuan e më ushqyen si një bir i tyre i vertetë.

Me rastin e këtij 20 vjetori jubilar të themelimit të FRESH-it sigurisht që kujtoj me “nostalgji” ikjen time nga përpjekjet e policisë serbe për të më burgosur, kujtoj kalimin tepër të vështirë të kufijve të hekurt jugosllavo-shqiptar. Sigurisht që kujtoj dhe "portën" e parë që m'u hap në Shqipëri dhe që ishte pikërisht PSSH nga ku kërkova mbështetjen për të krijuar një forum të rinjsh socialistë me orientim eurosocialist.

Ishte Gramoz Ruçi (sekretar i pergjithshëm i PSSH) një nga të parët të cilët pranuan 100 përqind kërkesat e mia për themelimin apo organizimin e një mekanizmi rinor socialist apo prosocialist, por duhet thënë se nuk mungoj mbeshtetja e tërë ekipit të atëhershëm të udhëheqjes së PSSH.

Ishte muaj shtator i vitit 1991 kur Shqipëria ishte një “kantier” i madh kaosi, pasigurie, rrënimi e iracionaliteti, ku jeta e njeriut ishte fare pa vlerë, një tranzicion radikal që shkaktonte marramendje anarkie me përmasa gjigante e me rreziqe gjakderdhjeje... Bisedën për themelimin e një organizimi rinor të lidhur me PSSH e kam bërë me shumicën e drejtuesve të atëhershëm të PSSH për të cilët do të flas në shënimet e mia të ardhshme. Përpjekjet e mia (në një terren të panjohur) ishin tepër të ngadalshme për të realizuar një ide të tillë në mënyrë të shpejtë. Ishte fat kur pas një muaj e gjysmë përpjekjesh, në zyrat e PSSH takova Ilir Zelën, Pandeli Majkon, Arian Kokoshin, Flamur Metollarin e Lavdërim Krashin me të cilët u bashkova menjëherë dhe “zyrtarisht” themeluam këshillin nismëtar të FRESH-it, ku zgjodhëm kryetar Ilir Zelën (deri në kongresin e rregullt) dhe hartuam programin e parë euorosocialist.

Pjesa kombëtare, e cila perfshiu më shume se 50 përqind të programit, m'u besua pa asnjë rezervë. Përmenda “pjesën kombëtare të programit” për të treguar përmbajtjen “kuq e zi” të kësaj nisme, që nuk e kishte asnjë organizim politik i atëhershëm në Shqipëri.

Ne menjëherë filluam veprimet praktike dhe gjatë përpjekjes sime për të themeluar “berthamat eurosocialiste” që më ishin caktuar nga ky “këshill nismëtar”, takova Ndre Legisin që më vonë u tregua aktiv si shumë të tjerë. Dy muaj pas themelimit të “këshillit nismëtar” prej 6 vetash u themelua “bërthama” për Tiranën. Ilir Meta kishte ardhur si i ftuar i Musa Ulqinit. Në këtë takim ai u zgjodh kryetar i FRESSH-it për Tiranën i cili pas disa javësh u pranua në “këshillin nismëtar” i propozuar nga unë…

Gjatë kësaj kohe ka patur plot aktivistë që kanë marrë pjesë në mbledhjet tona të hapura, të cilët kontribuan në masivizimin e FRESSH, (në këtë fillim ka ndihmuar shumë edhe Luan Rama i cili bashkë me Thoma Gëllçin luajtën rol shumë të rëndësishëm në forcimin e shpejt të FRESSH-it e sidomos të “organit të saj “Kristal”).

Ka plot emra të cilët pak kohë pas themelimit (edhe ata mund të quhen themelues) punuan e sakrifikuan për rritjen e FRESSH, por në këtë “hapësirë të kufizuar” të “kujtimit” tim nuk kishte mundësi ti përfshija e për këtë kërkoj falje prej të papërmendurve.

Ky është një përshkrim tepër i shkurtër i fillimit ose e verteta në vija të “trasha” e themelimit të FRESH-t. Ndaj, në mënyrë miqësore do të thosha se Edi Rama ose nuk duhet t'i përmendë fare emër për emër themeluesit, ose të informohet saktë nga arkivat (nësë janë ruajtur) apo të informohet nga vetë themeluesit e jo të flasë siç foli në përvjetorin e 20-të, në lidhje me themeluesit.

Përfundim

Themeluesit e FRESH-it nuk priten lejë, as nuk bënë lutje tek drejtuesit e Partisë, por e bënë vetë organizatën, duke kapërcyer pengesa të mëdha “ideologjike", duke sfiduar kaosin e anarkizmin, i cili paraqitej me rreziqe të mëdha për këtë iniciativë politikisht freskuese. Jo rastësisht ata të rinjë arritën në maje të politikës (dy prej tyre u bënë edhe kryeministra dhe dhanë kontribut të madh gjatë luftës në Kosovë).

Duke folur për “nismat”, një mik i imi i hershëm, një ditë më tha: “nismëtarët janë si karburanti i raketave. Raketa ikën e karburanti harxhohet”. Çështja është si të jesh nismëtari “perhershëm” i kësaj jete me cikle nisjesh të papërfunduara…

Jam i sigurt se ata që janë të “obliguar” të përceptojnë sjelljen politike në këtë mënyrë, nuk e kanë arritur deri në fund këtë nivel të qasjes. Por edhe nëse do ta kishin, nuk do të mund të arrinin nivelet e përceptimeve cilësore pa larguar nga vetvetja subjektivizmin që vjen nga shpirtngurtësia jonë tradicionale.

Rëndësi ka që nga fjalimi i gjatë dhe plot pasion i kryetarit aktual socialist, lë për tu shpresuar shumë se do të ketë një re-fresh të vërtetë përtej kufizimeve politike aktuale. Eshtë koha e rrëzimit të “murit berlinez” në mentatlitin shqiptar dhe kapërcimit të guximshëm drejt modernizmit të sjelljes sonë me shikim drejt Evropës. E kjo nuk mund të arrihet pa aksionet e rinisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese