Hapësire reklamuese

Kulture & Art

Zbulohet pse BETIMET ishin të detyrueshme për burrat shqiptarë… sidomos për malësorët

Shkruar nga Newsbomb
Burrat malësorë

Në shoqërinë tradicionale shqiptare funksiononin disa norma kulturore kanunore që detyronin çdo burrë në moshën e përdorimit të armëve të bënte be, të vëzhgonte një proces betimi ose të lejonte familjarë e të afërm të bënin be ose të betohej për ta.

Në të kundërt ai që nuk pranonte detyrime të tilla konsiderohej i padenjë për të qenë në radhët e njerëzve me dinjitet. Madje pranimi ose mospranimi i besë konsiderohej kriter që dallonte njerëzit nga kafshët.

Paragrafi 2507 te Kanuni i Skandërbegut, ndër të tjera, thekson: “Kur gruaja zonjë shtëpie pa mashkull mbrendë zdo me vëzhgue benë mbas kanuni, prej ma të afërmit në vllazni…ajo grue asht pa kapistër”.

Në shoqërinë tradicionale shqiptare karakterizimi “pa kapisër” ka funksionuar si fyerje shumë e rëndë. Të tillë etiketoheshin njerëzit që nuk njihnin rregullat elementare të bashkëjetesës në shoqëri, pra njerëzit që silleshin në mënyrë të paparashikuar, që silleshin më keq se kafshët si kali, gomari etj, që lidhen nëpërmjet kapistrës.

Në shoqërinë tradicionale shqiptare kanë qenë të përhapura mendësitë: “Hajvani lidhet prej kapistalli, ndërsa burri lidhet prej fjale”, “Burri i ka prangat te fjala e gojës jo te duart”, “Fjala e mendshme ta rrit itibarin (fjalë turke me kuptimin prestigjin), fjala pa mend të lidh duar e këmbë”.

Në shoqërinë tradicionale shqiptare, nëse një person i dyshuar ose i akuzuar për sjellje devijante, ose krime si shpifje, vjedhje, spiunim, plagosje, vrasje etj, kërkonte të lante veten me be, akuzuesi ose akuzuesit ishin të detyruar ta pranonin benë e të paditurit dhe të vëzhgonin të gjithë elementet e protokollit të realizimit të saj. Në të kundërt, akuzuesi lëçitej, domethënë izolohej nga bashkësia e fshatarëve.

Në situata të tilla, kur katundi i kërkonte akuzuesit të vëzhgonte benë ose të ngarkonte një njeri të besuar si vëzhgues dhe ai nuk pranonte, të akuzuarit i njihej e drejta dhe të qëllonte mbi akuzuesin që nuk pranonte logjikën e mohimit me betim të veprës penale në fjalë.

Kanunet shqiptare sanksiononin ndëshkime shumë të rënda për akuzuesin dhe familjarët e tij nëse nuk pranonin benë e të akuzuarit dhe e vrisnin atë. Në rastin kur një person i akuzuar kërkonte të lante veten me be, vihej në besën dhe në mbrojtjen e burrave të katundit. Për rrjedhojë, në rrethana të tilla akuzuesi nuk përballej vetëm me të akuzuarin, por me gjithë burrat e fshatit.

Ndëshkimet për berrejshmit:

  • Nëse beja kishte të bënte me vjedhje ose dëmtim mallrash, berrejshmi i kthente të zotit të mallit dyfishin e mallit ose të vlerës monetare;
  • Berrejshmi detyrohej të shkonte te kisha me u zgjidh prej besë së rrejshme. Ky veprim e vinte berrejshmin në një status të poshtëruar, e zhvlerësonte shumë në sytë e opinionit publik të bashkësive fshatare bashkëqeverisëse;
  • Nëse beja e rrejshme ishte bërë për çështje të rëndësishme, pra me 20 paronikë, berrejshi duhet të paguante si gjobë nje ka dhe 100 desh.

 

Zyhdi Dervishi “Lente të ndërveprimit simbolik”

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu