Gazment Bardhi, përfaqësues i Grupit të Rithemelimit në negociatat me Partinë Socialiste, ka dhënë detaje për mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve dhe dakordësinë për dy komisione hetimore dhe një strukturë të posaçme për ligjet që kërkojnë shumicë votash.
"Kemi rënë dakord për ngritjen e komisionit hetimor për koncesionet e Shëndetësisë. Kemi rënë dakord për ngritjen e komisionit hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në sistemin TIMS", u shpreh Bardhi, teksa shpjegoi dhe detaje për strukturën e re.
"Kemi rënë dakord që çdo ligj që kërkon 3/5, përfshirë dhe Kodin Zgjedhor, të diskutohet një komision, nënkomision, quajeni si të doni, në paritet të plotë mes dy palëve dhe do asistohen nga ekspertizë ndërkombëtare që mbulon fushën përkatëse", sqaroi bardhi.
Lexo edhe: Nikolla ul bashkë socialistë e demokratë, nis mbledhja e Konferencës së Kryetarëve
Më tej, si përfaqësues i Grupit të Rithemelimit ai ka thënë se opozita ka qenë e gatshme kurdoherë për angazhim në funksionimin normal të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, por së pari duhet që mazhoranca të plotësojë tre kërkesat e saj.
"Për opozitën ka qenë gjithmonë gatishmëria dhe jemi të interesuar që Parlamenti të funksionojë në mënyrë normale. Por që kjo të ndodhi, duhet të plotësohen tre kërkesat tona, për komisionet hetimore, konsensusi për Reformën Zgjedhore dhe marrja në shqyrtim e projektligjeve të deputetëve (të PD)", tha Gazment Bardhi.
Lexo edhe: PS dhe PD arrijnë dakordësinë: Komisione hetimore për TIMS dhe koncesionet
Politikani demokrat sqaroi se Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet përsëri nesër për këto tre çështje dhe atëherë do të shpallet nëse ngërçi i nisur pesë muaj më parë është zgjidhur apo jo. Sipas Bardhit, struktura e re e posaçme do të fillojë punë sapo të ketë një vendim të Kuvendit.
"Nesër do mblidhet përsëri Konferenca e Kryetarëve për të treja këto çështje, kështu që do duroni deri nesër për të shpallur të zgjidhur ngërçin. Struktura e re do të fillojë të funksionojë sapo të kemi një vendim të Kuvendit, në seancën më të parë", përmbylli ai.