Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi ka folur në lidhje me reformën në drejtësi si dhe për socialistët që janë nën hetim. Çuçi përsëriti fjalët e kryeministrit Rama duke thënë se “kush ka punë me drejtësinë, do merret me drejtësinë”.
“Nuk quhet pastrim, por një zhvillim. PS që nga kryetari e deri të zyrtari i fundit ka deklaruar që kush ka punë me drejtësinë do merret me drejtësinë, ne nuk bëhemi mburojë. Jemi partia e vetme që kemi një qëndrim kaq të qartë në lidhje me këtë çështje. Për PS ka qenë i qartë, ne jemi themeluesit e kësaj drejtësie të re, jemi forca politikë që e kemi themeluar. Nëse ka një gjë të qartë te opinioni publik është qëndrimi i PS-së me drejtësinë e re që ka ende nevojë për t’u rritur”, u shpreh Çuçi për “Real Story” në “Abc News”.
Moderatori Sokol Balla e ka pyetur Çuçin nëse PS i trembet zgjedhjeve të parakohshme. Ai është shprehur se PS është partia më e strukturuar dhe e konsoliduar, teksa tha se edhe Asambleja që u mblodh ishte për ndezjen e motorëve 1 vit para zgjedhjeve të 2025.
“Ne jemi partia më e madhe më e strukturuara më e konsoliduar, edhe në rajon PS e Shqipërisë është më e organizuara. Dhe është normale që një vit përpara zgjedhjeve të fillojmë organizimin kapilar dhe nuk ka të bëjë me një frikë apo paramendim për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nuk është alarm , po të na keni ndjekur ndër vite gjithmonë e kemi bërë.
Në çdo zgjedhje qoftë vendore apo qendrore, një vit përpara fillojmë organizmin e partisë që makinerinë tonë ta bëjmë gati për fushatën e radhës. Nuk ka asgjë të bërë ndryshe. Duhet të merret në konsideratë që një vit para zgjedhjeve numri që abstenon është shumë i madh”, tha ai.