Hapësire reklamuese

Politikë

PS i përgjigjet Metës: Shantazhet alla Gruevski, të papranueshme

Shkruar nga Newsbomb

Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla thotë se Ilir Meta është zgjedhur President me votat e PS-së dhe nëse nuk është dakord për këtë mund të kthejë votat dhe të bëjë çfarë të dojë me partinë e tij.

Ndërkohë që gjatë ditës së sotme në media u publikua një mesazh i kryeministrit Rama sipas të cilit nuk do të sulmohej më LSI-ja, Taulant Balla në orët e pasdites thotë se Presidenti i zgjedhur është një figurë mbi palët dhe se nuk mund të jetë një figurë përçarëse.

Ai u përgjigjet Metës pas deklaratës së tij se nuk do të dekretonte asnjë ministër që ndërhynte në zgjedhje, duke theksuar se shantazhet alla Gruevski janë të papranueshme.

Reagimi i plotë i Taulant Ballës:

Ilir, të kemi dhënë votën për t’u bërë president!

Por edhe kjo që po bën si President i zgjedhur nuk shkon, sepse po teprohet. Je president i zgjedhur edhe me votat tona, ose na kthe votën dhe bëj çfarë të duash me ish-partinë apo partinë tënde!

Jo vetëm s’mund të kërcënosh askënd, dhe ne socialistët jo e jo, po s’mundet as të na fusësh në një luftë politike demode për interesat e LSI.

Ne të bëmë kryetar shteti, me besimin për të qenë figura mbi palët që i duhet vendit, jo për të të pasur si figurë përçarëse. Partia Socialiste është në të drejtën e saj legjitime të kërkojë votën, për t’i dhënë fund parcelizimit të administratës shtetërore nga partitë. Nëse LSI nuk bashkohet dot me ne për këtë qëllim të madh në rrugën për të bërë shtet, kjo është puna e saj.

Ne s’jemi LSI, por jemi forca më e madhe politike shqiptare dhe detyra jonë është të bëjmë shtet. Duan apo s’duan partitë e vogla.

Por shantazhet alla Gruevski janë jo vetëm antidemokratike, por edhe të papranueshme për një President të zgjedhur të Shqipërisë. Ashtu siç janë të papranueshme edhe sharjet e akuzat lumë për Edi Ramën dhe për marrëveshjen që ai bëri me Lulzim Bashën në interes të Shqipërisë, të cilën edhe Presidenti i zgjedhur e përshëndeti.

Po përveç se të papranueshme, për ju si President i zgjedhur edhe me votën e Edi Ramës, janë edhe qesharake për Ilir Metën! Sepse vetëm Ilir Metës, edhe si mik i Saliut, s’i takon të flasë për errësira dhe për transparencë.

Boll më, se u trash fare kjo punë me çorodinë tuaj; dhe na lini ne të bëjmë fushatën tonë, edhe LSI fushatën e vet. Ne s’kemi asnjë dëshirë të merremi me ish-partinë apo partinë tuaj.

Nuk kemi asnjë interes dhe dëshirë të hyjmë në këtë duel absurd, ku doni të na fusni me zor.

Ne e kemi të qartë drejtimin tonë.

Duam të flasim me popullin për drejtësinë, ekonominë, punësimin dhe gjithçka u intereson njerëzve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese