Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

PS bllokoi Komisionet Hetimore, Dumani "fton" opozitën në SPAK: Të bashkëpunojmë!

Shkruar nga Newsbomb
PS bllokoi Komisionet Hetimore, Dumani "fton" opozitën në
Kryeprokurori Altin Dumani mbetet i hapur për të bashkëpunuar me opozitën për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare, por duke theksuar se në çdo rast hetimi penal i institucionit që ai drejton është i pavarur. Kështu është shprehur Altin Dumani, kur është pyetur për nëse puna e SPAK do të dëmtohej nga një hetim paralel parlamentar i kërkuar nga opozita. “Komisionet hetimore, parlamentare kanë qëllim dhe funksion të ndryshëm nga hetimi që kryen SPAK, i cili është i natyrës penale. Standardet e provueshmërisë së procesit penal janë më të larta dhe procedura e ndjekur për ngritjen e një akuze është shumë më rigoroze”, la thënë kreu i SPAK. Ai nuk ka shprehur asnjë shqetësim duke shtuar se ligji parashikon që Prokuroria e Posaçme mund të bashkëpunojë me komisionet hetimore, parlamentare, sipas dispozitave ligjore në fuqi. Duke theksuar se “në çdo rast hetimi penal është i pavarur”, drejtuesi i Prokurorisë Speciale i tha INA Media-s se “Prokuroria e Posaçme ka qenë dhe është e vëmendshme ndaj hetimeve të kryera nga komisionet parlamentare për ato vepra penale që janë në juridiksionin e saj." Kjo përgjigje e njeriut që drejton organin më të lartë të akuzës në Shqipëri, tregon se pretendimet e Partisë Socialiste, se ngritja e Komisioneve Hetimore që kërkon opozita do të dublonte punën e SPAK, nuk përbëjnë shqetësim për punën e prokurorëve. Në fakt, hetimi parlamentar kryen verifikime, nxjerr përgjegjësi institucionale dhe merr masa legjislative, kurse hetimi penal që kryhet nga institucionet e akuzës sikurse SPAK, nëse gjen shkelje ligjore merr të pandehur dhe kërkon dënimin e tyre me burgim.

Ja cilët janë gjashtë komisionet hetimore të propozuara nga opozita:

  1. Komisionin Hetimor Parlamentar për skandalin Rama – McGonical, firmosur nga 44 deputetë;
  2. Komisionin Hetimor Parlamentar për abuzimin me përdorimin e charterave privatë gjatë periudhës së pandemisë, firmosur nga 35 deputetë;
  3. Komisionin Hetimor Parlamentar për  Marrëveshjen e Portit të Durrësit, firmosur nga 35 deputetë;
  4. Komisionin Hetimor Parlamentar për 4 koncesionet (PPPs) në shëndetësi, firmosur nga 45 deputetë;
  5. Komisionin Hetimor Parlamentar për keqpërdorimin e të dhënave personale dhe TIMs, firmosur nga 45 deputetë;
  6. Komisionin Hetimor Parlamentar për konfliktin e interesit, firmosur nga 45 deputetë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese