Gazetarja e televizionit rus, Marina Ovsyannikova, e njohur për protestën “live” kundër luftës në Ukrainë, zbulon se i ka shpëtuar arrestit shtëpiak, duke u arratisur nga Rusia.
“E konsideroj veten plotësisht të pafajshme dhe duke qenë se shteti ynë refuzon të zbatojë ligjet e tij, unë refuzoj të zbatoj masat e vendosura ndaj meje në shtator 2022 dhe të liroj veten time nga ato”, postoi gazetarja Ovsaynnikova në Telegram tre ditë më parë.
44-vjeçarja u bë e njohur ndërkombëtarisht në mars, kur ajo ndërpreu një transmetim live teksa mbante në duar një pankartë ku lexohej: “Ndaloni luftën, ata po të gënjejnë!” Për këtë, ajo akuzua se po përçmonte ushtrinë ruse dhe u gjobit me 30 mijë rubla, apo 260 dollarë. Pasi la punën, Ovsyannikova u bë një aktiviste duke organizuar protesta kundër luftës.

Në gusht, ajo akuzua se kishte përhapur lajme të rreme dhe u dënua me dy muaj arrest shtëpiak për një protestë pranë Kremlinit. Gjatë protestës ajo mbante një pankartë që përshkruante presidentin rus, Vladimir Putin si “vrasës” dhe forcat ushtarake ruse si “fashiste”.
Ajo rrezikon të dënohet deri në 10 vite burg nëse gjendet fajtore për përhapjen e lajmeve të rreme rreth ushtrisë ruse. Arresti shtëpiak i saj duhet të zgjaste deri më 9 tetor, por agjencia e lajmeve shtetërore raportoi të shtunën që ajo ishte arratisur së bashku me vajzën e saj 11-vjeçare ndërsa vendodhja e saj është e panjohur. Si u largua apo ku u largua është ende e paqartë, por të hënën, emri i saj mund të gjendet në listën e të arratisurve nga drejtësia ruse, shoqëruar me një foto.