Ka qenë kopertina e fundit e publikuar nga revista satirike ku shfaqej profeti Muhamed, i cili mbante në duar një pankartë ku shkruhej “Unë jam Charlie” ajo që ka revoltuar sërish shumë besimtarë myslimanë
Të paktën tre persona kanë gjetur vdekjen dhe gjashtë kisha janë sulmuar në shtetin afrikan të Nigerit si pasojë e protestave kundër publikimit të karikaturave të profetit Muhamed nga revista franceze Charlie Hebdo.
Mediat e huaja njoftojnë se protestat kanë nisur jashtë xhamisë së madhe të qytetit të Niamey dhe më pas janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të vendit. Presidenti i Niger, Mahamadou Issoufou ka dënuar dhunën dhe ka bërë thirrje për qetësim të situatës.
Ka qenë kopertina e fundit e publikuar nga revista satirike ku shfaqej profeti Muhamed, i cili mbante në duar një pankartë ku shkruhej “Unë jam Charlie” ajo që ka revoltuar sërish shumë besimtarë myslimanë.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht përpara xhamisë së madhe të qytetit duke bërtitur “Zoti është i madh” dhe më pas kanë sulmuar kishat duke shkaktuar edhe viktima.
Edhe gjatë së premtes janë zhvilluar protesta në qytetin e dytë më të madh të Nigerit, Zinder, ku rreth 50 persona kanë sulmuar qendrën kulturore franceze të qytetit. Ndërkohë që protesta anti-Charlie janë zhvilluar edhe në Pakistan, Algjeri, Sudan dhe Somali.