Moderatori dhe analisti Arjan Çani thotë se në protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë e PD, duhet të kishte patjetër viktima. Sipas tij, atje nuk ndodhi asgjë e madhe dhe e gjitha mbeti në kuadrin e një kronike.
“Unë do ta legjitimoja nëse do bëhej edhe më shumë se kaq. Për mendimin tim, nuk u bë ndonjë gjë e madhe, nuk pati as të plagosur rëndë, as të vrarë, asgjë. Pavarësisht se u duk sikur kishte përleshje, nuk kishte ndonjë gjë të madhe.
Arsyet duhet të ishin të tilla, në një vend normal që duhet të kishte patjetër viktima atje, të kishte heronj, ose viktima, nuk ka rëndësi. Fakti që nuk pati asgjë, më shumë mbetet një kronikë”, u shpreh ndër të tjera Arjan Çani, në Euronews.
Më 8 janar 2022, dy grupimet e krijuara brenda Partisë Demokratike u përplasën dhunshëm për të marrë selinë, pas disa muajsh përplasjesh në distancë, mes Foltores së drejtuar nga Sali Berisha dhe Lulzim Bashës. Zanafilla ishte përjashtimi i Berishës, pas non-gratës amerikane.
Javën e parë të vitit të ri, demokratët e drejtuar nga ish-kryeministri sulmuan selinë e PD, por u përballën aty me dyer e dritare të fortifikuara me hekur, ndërsa nga brenda u lëshuan tymuese dhe sende të forta, nga persona që merreshin me sigurinë e Lulzim Bashës.