Ish-kryeministri dhe kryetari aktual i PD, Sali Berisha ka njoftuar sot protestën e parë kombëtare që kjo forcë politike do të mbajë. Edhe pse shtatori iku dhe nuk pati asnjë "vjeshtë protestash", siç ishte paralajmëruar, Berisha ka thirrur shqiptarët që t'i bashkohen më 12 nëntor.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD, kryedemokrati ka thënë se ka besim se "burrat dhe gratë" e vendit do të bashkohen "në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria", më datë 12 nëntor.
Megjithëse kjo protestë është e shumëpritur nga baza e demokratëve, duket se data nuk është e rastësishme. Sali Berisha planifikon të mbledhë mijëra demokratë dhe njerëz të thjeshtë në shesh, në Tiranë, vetëm 9 ditë pasi Gjykata e Apelit do të ketë vendosur për vulën e Partisë Demokratike.
Lexo edhe: “Sirenat e urrejtjes po bien”, Berisha paralajmëron protestën: Opozita nis betejën më 12 nëntor
"Në datë 3 nëntor 2022, ora 10:30, do të gjykohet çështja me kërkues Partia Demokratike e Shqipërisë, lidhur me ankimin e saj ndaj vendimit datë 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë", ka njoftuar Gjykata e Apelit. Shkalla e Parë i ka dhënë të drejtë Berishës, por ky vendim nuk është pranuar nga grupimi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Edhe deputetët e PD janë ndarë në dy kampe, megjithëse retorika tashmë mes tyre është më e butë dhe palët nuk e kanë sulmuar me deklarata njëra-tjetrën. Demokratët që janë me Alibeajn, janë shprehur se nëse Gjykata e Apelit vendos më 3 nëntor t'ia japë vulën Sali Berishës, atëherë dhe ata do t'i bashkohen, pavarësisht shpalljes non-grata.
Pra, më shumë se një njoftim i një proteste të madhe kombëtare, tubimi dhe thirrja e Sali Berishës për të mbledhur popullin opozitar në Tiranë më 12 nëntor, do të jetë një provë force se ai është kryetari i Partisë Demokratike.
Kjo, sigurisht nëse marrim të mirëqenë pretendimet e një numri demokratësh, se pushteti gjyqësor është në dorën e qeverisë dhe qëllimisht do t'ia japë vulën Enkelejd Alibeaj, për të thelluar dhe më shumë ndarjen e PD.
Këtij demonstrimi force do t'i bashkohet dhe Partia e Lirisë, e drejtuar tashmë nga aleati më i fortë i Sali Berishës në opozitë. Mesditën e kësaj të mërkure, Ilir Meta ka njoftuar se edhe mbështetësit e tij, do t'i bashkohen 12 nëntorit.
"Mbështetje totale për protestën madhështore të 12 Nëntorit! Shqiptarët më të bashkuar se kurrë drejt Referendumit dhe Primareve! Koha e Demokracisë direkte po vjen", shkruan kreu i Partisë së Lirisë, duke konfirmuar dhe njëherë bashkëpunimin e ngushtë "me partinë e doktorit".
//Newsbomb.al.