Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në Londër, ku është intervistuar nga BBC për të promovuar Tiranën dhe transformimin e saj në vitet e fundit.
Veliaj u shpreh se ndonëse Bashkia nuk ka kompetenca për arsimin e lartë, si kryebashkiak dhe si ish-aktivist i protestave ka 'vetëm admirim për mënyrën se si janë organizuar studentët'.
Sipas tij, reformën në arsim shumë vetë e kanë keqkuptuar, ku rektorë dhe dekanë kanë marrë vetëm privilegjet dhe jo përgjegjësitë, ndërsa u shpreh se 'Studentët protestues duhet të mos studentët influencohen nga partitë! Unë e di që në çdo fakultet dhe në çdo klasë janë lacat e partive që mundohen të ndezin disa zjarre të paqëna .
Thirrja ime është mos mendoni për ata politikanë që kanë hallin vetëm të zgjedhjeve të ardhshme, Kryeministri i vendit dhe unë s’kemi fare merak zgjedhjet e ardhshme por sigurisht që kemi merak gjeneratën e ardhshme, ndaj thirrja ime është injoroni partitë. PD e LSI ka hallet e veta dhe nuk mund të zgjidhë hallet e veta duke përdorur hallin e studentëve. Nëse studentët ulen, maksimizojnë këtë mundësi fantastike, ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme bashkë'.
Në lidhje me Kartën e Studentit, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do ta emetonte nëse universitetet do kishin ngelur të gjitha shtetërore.
'Bashkia do ta emetonte nëse universitetet do kishin ngelur të gjitha shtetërore. Për sa kohë që morën pavarësinë e tyre, kjo është një ndër detyrat që duhet të bëjmë, megjithatë pranoj më kënaqësi ta emetoj kartën e studentit por kjo është gjithashtu një gjë tjetër për të cilën duhet të ulemi.
Ne duhet të ulemi për t’u siguruar që me kartën e studentit, universiteti i Tiranës mund të shkonte në palestrën e Universitetit të Sporteve, me këtë kartën e Universitetit të Sporteve mund të shkonte në Bibliotekën e Politeknikut, por kjo janë të gjitha detaje që nëse universitetet nuk i realizojnë dot vetë, siç ishte plani fillestar, prapë mund t’i bëjë Bashkia por pa u ulur e pa diskutuar se çfarë platformash do vendosim në këtë kartë ështëe kotë që ne të themi po, po, po dhe ndërkohë nuk e implementojmë dot sepse nuk i kemi këto informacione dhe këtë dakordësi nga studentët dhe fakultetet'.