
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta e cilësoi protestën e sotme të opozitës “madhështore”.
Ilir Meta nuk mori pjesë në protestën e sotme të opozitës për shkak të disa angazhimeve jashtë vendit. Por kjo nuk e pengoi Metën që të shprehë mbështetjen për protestën që u zhvillua sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara Kryeministrisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Meta tha se qytetarët rikthyen sot shpresën dhe nisën një betejë pa kthim për shpëtimin e Shqipërisë.
“Protesta madhështore e qindra mijëra qytetarëve të lirë kundër narkoshtetit ishte një manifestim i jashtëzakonshëm demokracie në mbrojtje te pluralizmit, të lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor!
Nën udhëheqjen e opozitës së vërtetë dhe të bashkuar, qytetarët rikthyen sot shpresën dhe nisën një betejë pa kthim për shpëtimin e Shqipërisë!”, shkruan Ilir Meta.
Protesta e opozitës e thirrur nga grupi i Rithemelimit dhe partitë e tjera opozitare nisi rreth orës 17:40. Në këtë protestë kanë mbajtur fjalën disa nga deputetët dhe ish-deputetët e PD. Fjalën i pari e mori Luçiano Boçi, por edhe Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Albana Vokshi. Në fund përmes një video-konference, mbajti fjalën e tij edhe kryedemokrati Sali Berisha.
Lexo edhe: Gurë e shashka drejt policëve, dy protestues të shoqëruar
Më pas kur gjithçka dukej sikur mbaroi, mjete piroteknike të rrezikshme, gurë dhe shashka u hodhën në drejtim të efektivëve që u bënë gardh para Kryeministrisë. Asnjë nga drejtuesit e opozitës nuk i ka ndaluar protestuesit, por i kanë lejuar ata që të sulmojnë policët.
Nga ana e këtyre të fundit, nuk ka pasur në asnjë moment reagim, përveç rritjes së nivelit të gatishmërisë për çdo përshkallëzim të mundshëm, shkruan newsbomb.al.
Pas efektivëve të rendit kanë dalë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt dhe Forcat Shqiponja, nisur nga tentativat për çarë kordornin e sigurisë. Më shumë se 10 shishe me benzinë (të ashtuquajtura bomba molotovë) janë hedhur drejt Policisë dhe shkallëve të Kryeministrisë.
Lexo edhe: Shtëpia podium për Sali Berishën: Qëndrestarë, ju jeni uragani i lirisë! Nder paçi gjithmonë
Kordoni i parë i policëve të thjeshtë që qëndronin në rreshtin e parë u zëvendësua me efektivët e FNSH-së, të përgatitur me skafandara dhe mburoja të posaçme, shkruan newsbomb.al. Edhe gardhi metalik është rrëzuar në një pjesë të tij.
Policia e Shtetit ka pas informacione për akte të dhunshme në këtë tubim të parë të opozitës, pas bashkimit të fraksioneve kryesore të saj, por fatmirësisht tensionet nuk kanë vazhduar për shumë gjatë.
Lexo edhe: Jorida Tabaku e Alfred Rrushaj “braktisin” Bashën, i bashkohet protestës së Berishës