Analisti dhe gazetari Mustafa Nano është prezantuar këtë të hënë në Komisionin për Politikën e Jashtme, pas vendimit të qeverisë shqiptare për ta dërguar atë si diplomat në Zvicër.
"Kam më shumë se dy dekada që nuk e kam menduar që do ndodhesha në një rrethanë të tillë. Pasi e lashë njëherë detyrën e diplomatit dhe u futa në gazetari, mendova se në gazetari do vdisja, ndoshta dhe aty do vdes", u shpreh Nano në fjalën e tij.
Ndërkohë, tre deputetët e opozitës që ishin të pranishëm, Kreshnik Çollaku, Agron Gjekmarkaj dhe Vangjel Dule nuk patën kritika për figurën e Mustafa Nanos. Përkundrazi, Gjekmarkaj e vlerësoi lart gazetarin dhe publicistin.
"Më vjen mirë që kemi këtu për ambasador një njeri që ka shkruar libra. Në të paktën tre prej tyre kam qenë lexues i parë. Ana ime politike humbet një nga kritikët më të zëshëm. Por shpresoj që Shqipëria të fitojë një ambasador cilësor", u shpreh Agron Gjekmarkaj.
Pas fjalës së tre deputetëve, Nano i falenderoi për fjalët dhe tha se nëse emërohet ambasador, do të bëjë gjithçka për komunitetin shqiptar në Zvicër.
"Ndihem i ledhatuar dhe gati gati i llastuar që po pritem mirë. Nuk është se kisha dyshime të mëdha, po nuk kisha arsye të mos pritesha mirë. Deri tani (qesh). I falenderoj tre deputetët që sapo folën, për emërimin tim edhe keqardhjen që ndjejnë, sidomos Kreshniku dhe Agroni, që po ikën një gazetar dhe po vjen një diplomat.
Nuk e dimë sesi do të jetë, gazetarinë e dimë sesi ka qenë, por diplomatin nuk e dimë se si do të jetë. Mendoj që do të jetë një diplomat i mirë. Nëse ndonjëri ka rezerva, unë do bëj çmos që këto rezerva t'ia vras, kur të shkoj atje, nëse do shkoj", vijoi analisti Mustafa Nano.