Hapësire reklamuese

Aktualitet

Prokurorja e Fierit Violeta Shkurta jep shpjegime për profesionalizmin në vetting

Shkruar nga Newsbomb
Prokurorja e Fierit Violeta Shkurta jep shpjegime për profesionalizmin

Gjatë seancës së tretë dëgjimore të zhvilluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK të premten më 25 shkurt për drejtuesen e Prokurorisë së Fierit, Violeta Shkurta, u relatuan më së shumti gjetjet për kriterin profesional, për të cilat subjekti dha shpjegime.

Kjo seancë u zhvillua pasi KPK vendosi të çelë hetimin për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, me kërkesë të Shkurtës.

Më 24 nëntor, KPK konstatoi pamundësi financiare në vlera të mëdha për krijimin e pasurive nga prokurorja e Fierit, Violeta Shkurta, si dhe e vlerësoi të padrejtë përfitimin e një kredie të butë, ndërkohë që zotëronte dy apartamente. Ajo tha se pasurinë e kishte krijuar me burime të ligjshme.

Prokurorja Shkurta mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Trupa që po kryen rivlerësimin e prokurores Violeta Shkurta kryesohet nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Prova e re për pasurinë

Relatori Komici e pyeti prokuroren Shkurta në fund të seancës lidhur me një provë të re që ajo kishte dorëzuar për të provuar të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga bashkëshorti prej shitjes së pajisjeve të një bingoje në shumën 1.9 milionë lekë në vitin 2005, vlerë që është deklaruar si një pej burimeve për një apartament me sipërfaqe 180.3 m2 të blerë në vitin 2006 kundrejt çmimit 8 milionë lekë.

Komici vërejti se deri në përfundimin e hetimit për pasurinë nuk ishte dorëzuar asnjë provë lidhur me të ardhurat e deklaruara si të përfituara në vitin 2005 nga shitja e bingos dhe se dokumenti i pretenduar për shitjen në pajisjeve në vitin 2004 ishte dorëzuar pas riçeljes së hetimit administrativ.

“Ju keni deklaruar se bashkëshorti e ka shitur bingon në vitin 2005 dhe se një pjesë e pagesës është kryer rreth pesë muaj më vonë për efekt garancie. Duket se transaksioni ka filluar dhe ka përfunduar gjatë vitit 2005”, konstatoi Komici dhe solli në vëmendje faktin se edhe blerësi i bingos shprehet në deklaratën noteriale se transaksioni ishte kryer po në 2005-ën.

“Çuditërisht tani na sillni një kontratë të vitit 2004 në vlerën 1.9 milionë lekë për shitje të pajisjeve të bingos”, shtoi Komici dhe pyeti përse nuk ishte deklaruar ky transaksion në vitin 2004, kur dhe bashkëshorti në atë vit kishte qenë subjekt deklarues.

Prokurorja Shkurta shpjegoi se kishte deklaruar se pagesën këstit të parë e kishte kryer në 2005-ën.

Lidhur me konstatimin e dorëzimit me vonesë të këtij dokumenti, ajo sqaroi se kishte kërkuar tek disa noterë derisa kishte arritur të gjente. “Del që për 6 muaj e kam marrë gjithë vlerën. Kjo është e vërteta”, pohoi prokurorja Shkurta dhe u shpreh se mendonte se dokumenti mund të kishte humbur gjatë një aksidenti të bashkëshrotit në vitin 2007, pasi mund të ishte ndodhur në makinën me të cilën po udhëtonte atëherë.

Ajo kërkoi që të mos vlerësohej për pasaktësitë e bashkëshortit. “Dua të vlerësohem për veprimet e mia”, kërkoi ajo.

Konstatimet për profesionalizmin 

Sipas relatorit Komici, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP kishte dorëzuar raport pozitiv për profesionalizmin. Po ashtu nuk janë gjetur probleme në tre dosjet e përzgjedhura nga subjekti dhe për tre prej pesë çështjeve të përzgjedhura me short nga Komisioni.

Ndërkohë, në seancë u relatuan gjetjet për dy prej dosjeve të shortuara dhe për disa denoncime nga publiku.

Komici konstatoi se subjekti ka shtyrë hetimet për një çështje për ndërtim pa leje me argumentin se do të kryente hetime shtesë, por nga verifikimi dosjes ka rezultuar se nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Sipas relatorit, megjithëse prokuroria ka konkluduar për kryerjen e ndërtimit pa leje, pas shtyrjes së afateve, e ka pushuar hetimin për shkak të ligjit të vitit 2014 “Për dhënie` amnistie”.

Shkurta shpjegoi se çështja në fjalë ishte hetuar fillimisht nga një tjetër prokuror dhe se i kishte kaluar fizikisht më vonë nga data e caktimit të saj si prokurore e çështjes. Ajo pretendoi se kishte qenë e nevojshme që të studionte dosjen pasi disa prokurorë kishin hequr dorë. “Nuk isha në kushte objektive të njihesha me materialet dhe të merrja një vendim benda afatit ligjor”, pohoi Shkurta dhe sqaroi se në atë kohë ishin në dijeni për projekt-ligjin për amnistinë dhe se kishin trajtuar fillimisht çështjet me përparësi. “Ka qenë dhe ngarkesa”, pohoi ajo.

Në një tjetër çështje të evidentuar nga ato të shortuara, KPK ka konstatuar se prokurorja ka zgjatur hetimet pasi ka dërguar një letër-porosi autoriteteve greke, por e ka pushuar procedimin pa e pritur mbërritjen e atij dokumenti. Po ashtu, u relatuan pasaktësi në dokumentacionin e dosjes.

Shkurta sqaroi se dhe në këtë rast çështja i ishte caktuar fillimisht një prokurori tjetër. Subjekti deklaroi se në momentin që ishte caktuar ajo si prokurore, rezulton të ishte regjistruar emri i personit të proceduar dhe se duhej trajtuar me përparësi.

Lidhur me pasaktësitë, Shkurta sqaroi se kishte administruar akte nga një çështje tjetër ku hetohej i njëjti person, shtetasi F.H. dhe se të dhënat u përkasin vendimarjeve së dosjes tjetër.

Për konstatimin e pushimit të hetimit pa pritur letër-porosinë, Shkurta deklaroi se kjo situatë zgjidhej kur të mbërrinte letër-porosia me anë të shfuqizimit të vendimit të pushimit.

“Transfrimi i çështjeve nga një prokuror tek tjetri ka sjellë tejkalim të afateve”, theksoi Shkurta.

Në vijim subjekti dha shpjegime për disa prej denoncimeve të publikut. Denoncuesi A.Çupa ka pretenduar se prokurorja për tre vjet nuk ka zbatuar një vendim të gjykatës për kthimin e pasaportës që i ishte sekuesturar më parë në kuadër të një mase sigurimi që i ndalonte daljen jashtë vendit. “Duket se subjekti nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës për kthimin e pasaportës”, deklaroi Komici.

Shkurta deklaroi se nuk ishte ajo prokurorja që kryente ekzekutimin e vendimeve të gjykatës dhe vërejti se personi në fjalë e kishte marrë pasaportën kur ishte kryer ekzekutimi.

Denoncuesi A.Çupa ka pretenduar gjithashtu se subjekti nuk ka kryer hetime ndaj një shtetasi për të cilin ai ka pretenduar se ka kryer deklarim të rremë ndaj tij. Sipas Komisionit, ndaj denoncuesit A.Çupa janë kryer hetime pasi është dyshuar se kishte marrë lekë për të ndihmuar në nxjerrjen nga burgu të shtetasit A. Çuka., që kishte qenë i dënuar për vrasje.

Kallëzuesi A. Çupa ka kryer kallëzim ndaj B. Çukës për deklarim të rremë duke pretenduar se nuk ka pasur asnjë marrdhënie për ti marrë lekë A.S. ashtu si është pretenduar. Si provë ai ka dorëzuar një deklaratë noteriale të shtetasit A.S.. Komici konstatoi se subjekti e ka zgjatur hetimin lidhur me kallëzimin e kryer nga shtetasi A. Çupa për gjashtë muaj pa ndonjë arsye të argumentuar dhe vepra penale ka rezultuar të jetë parashkruar.

Dhe për këtë rast, prokurorja Shkurta shpjegoi se ishte hetuar më parë nga një tjetër prokuror. Ajo deklaroi se kallëzuesi nuk e kishte pretenduar asnjëherë gjatë hetimit deklarimin e rremë të B. Çukës. Sipas subjektit, denoncuesi e kishte kryer kallëzimin vetëm pasi ishte dënuar vetë me formë të prerë.

Lidhur me deklaratën noteriale të shtetasit A.S., Shkurta argumentoi se nuk mund të konsiderohej si provë, pasi nuk ishte marrë prej organit procedues sipas Kodit të procedurës Penale. “Shtetasi A. Çupa është ankuar dhe pranë ILD-së dhe çështjet janë arkivuar”, pohoi Shkurta.

Në seancë u relatuan disa çështje në të cilat gjykata kishte rrëzuar kërkesat apo vendimarrjet e subjektit për pushim ose mosfillim të hetimeve.

Sipas Komicit, megjithëse në një rast gjykata ka pranuar ankimin e kryer nga Sindikata e Pavarur e Naftës Patos kundër një vendimi të Shkurtës për mosfillimin e hetimeve të një kallëzimi të kryer prej tyre dhe e ka urdhëruar subjektin të kryejë hetime, rezulton se ajo nuk ka kryer asnjë veprim hetimor.

Pasi dhe Gjykata e Apelit Vlorë ka lënë në fuqi urdhërimet për kryerjen e hetimeve, subjekti rezulton se ka dhënë dorëheqjen. Komici vërejti se vendimi i mosfillimit është marrë tej afatit 15 ditor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale.

Shkurta pranoi se vendimi ishte marrë jashtë afatit, por ajo pretendoi se kjo nuk e cënonte vlefshmërinë. Subjekti theksoi se nuk kishte kërkuar heqjen dorë, por kishte kërkuar pala që çështja të hetohej nga një prokuror tjetër.

Një prej denoncuesve është ankuar ndaj prokurores Shkurta lidhur me pushimin e një çështje ndaj një personi të hetuar për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt, që kishte sjellë edhe vdekjen e një personi.

Sipas vëllait të viktimës, subjekti e ka bazuar vendimarrjen e saj në një akt ekspertimi jo të saktë dhe pa analizuar nëse drejtuesi mjetit që kishte shkaktuar aksidentin e rëndë kishte qenë ose jo në shkelje të rregullave që qarkullimit rrogur. Subjekti ka refuzuar një kërkesë të familjarëve të viktimës për kryerjen e një riekspertimi. Po ashtu, pala e dëmtuar ka pretenduar se Shkurta nuk ka thirrur dëshmitarët në vendngjarje për të marrë deklarimet e tyre.

Nga akt ekspertimi i parë është konstatuar se drejtuesi mjetit që kishte shkaktuar aksidentin udhëtonte me 70 km/orë, nga 60 km/orë që ishte shpejtësia maksimale e lejuar dhe pasi kishte dalë në krahun tjetër të rrugës kishte goditur mjetin përballë duke shkaktuar aksidentin tragjik.

Prokurorja Shkurta deklaroi se kishte vlerësuar se nuk nevojitej një akt-ekspertim i ri, pasi ishte konkluduar se shkak nuk kishte qenë shpejtësia, por kushtet atmosferike si pasojë e reshjeve të shitur. Ajo pretendoi se do të kishte qenë e pamundur që të kryhej eksperiment në vendjgjarje, pasi nuk do të ishin kushtet atmosferike të njëjta.

Sipas subjektit, megjithëse gjykata e kishte pranuar ankimin e palës së dëmtuar për kryerjen e riekspertimit, situata nuk kishte ndryshuar. Ajo sqaroi se megjithëse shpejtësia në aktekspertimin e dytë rezultonte 100 km/orë nga 70 km në orë që ishte konstatuar në ekspertimin e parë, sërish shkak i aksidentit nuk ishte konkluduar shpejtësia por lagështia.

Ajo deklaroi se kishte hequr dorë nga hetimi çështjes pasi familjarët e viktimës kishin regjistruar ato çfarë ajo kishte thënë në një seancë dhe i kishin publikuar në media. Sipas subjektit, ajo i kishte kërkuar gjykatës dhe prokurorisë që të hetonin këto veprime dhe në këto kushte kishte hequr dorë.

Në përfundim, prokurorja Violeta Shkurta pretendoi se pasuria e familjes së saj ishte krijuar me burime të ligjshme dhe se kishte vërtetuar se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret. Ajo kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 28 shkurt, në orën 09:30. /Birn

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Sondazh

Poll