Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur këtë të enjte, më 22 shkurt, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Daniela Sulaj. Subjekti i rivlerësimit është konfirmuar në detyrë.
Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, pas shqyrtimit të ankimit të paraqitur nga Sulaj.
Prokurorja Daniela Sulaj, e komanduar si inspektore pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, u shkarkua nga KPK më 20 tetor 2021 për një gjetje në kriterin e pasurisë, shkruan Birn.
Ka qenë një bilanc negativ prej 1.9 milion lekësh për blerjen e një trualli në vitin 2013 që ka bërë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të vendoste për shkarkimin e saj nga detyra. Problemet e gjetura atëkohë në në kriterin e profesionalizmit nuk u cilësuan shkarkuese.
Prokurorja Daniela Sulaj këmbënguli se kishte dhënë shpjegime sqaruese, por u shkarkua. Vendimi e detyroi t'i drejtohej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili e ka rikthyer sot në detyrë. Ky vendim i KPA-së është përfundimtar dhe i formës së prerë.
Ajo e ka filluar karrierën në vitin 2004 si prokurore nnë Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe në vitin 2008 u emërua në Prokurorinë e Tiranës.
Vendimi i shkallës së parë të vettingut tre vite më parë, në 2021
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e bazoi shkarkimin e prokurores Daniela Sulaj në mungesën e burimeve financiare për të mbuluar blerjen e një trualli për shtëpi në periferi të Tiranës në vitin 2013. Në vendimi e zbardhur KPK thotë se kishte një mospërputhje mes deklarimeve të Sulajt për çmimin dhe sipërfaqen dhe dokumenteve të administruara nga Komisioni për këtë transaksion.
Trupa e kryesuar nga nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Etleda Çiftjan, vlerësoi se Sulaj rezultonte me një bilanc negativ prej 3.4 milionë lekësh në shtator të vitit 2013 kur ishte kryer kontrata e shit-blerjes, ndërsa duke llogaritur të gjithë vitin bilanci negativ zbriste në 1.9 milion lekë.
Komisioni nuk i gjeti probleme Sulajt sa i përket hetimit të figurës. Problemet e gjetura në hetimin e dy dosjeve hetimore të pushuara për akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe një mjeku u cilësuan nga KPK si jo shkarkuese.
Prokurorja Daniela Sulaj, e cila punonte së fundmi si inspektore pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ka kundërshtuar gjetjet në kriterin e pasurisë dhe këmbëngul se diferenca është pasojë e kontratës së shit-blerjes së truallit në të cilën është vendosur një vlerë më e lartë, për shkak të kërkesave të ligjit. Sulaj po ashtu këmbënguli se kishte kryer hetimet në dy rastet e procedimeve për korrupsion.