
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.
Reagimi ka ardhur pasi trupi gjykues në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, ka miratuar pjesërisht masat e kërkuara nga prokuroria, që kufizojnë komunikimet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Kufizimi, sipas prokurorisë u ndërmor si përgjigje për “kërcënimet ndaj integritetit të procesit”.
“ZPS-ja e ndërmori këtë hap si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, si dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët”, deklaroi ZPS-ja nëpërmjet një komunikate për media.