Sipas Prokurorisë të Elbasanit, gjykata e këtij rrethi ka pranuar kërkesën e Gjin Gjonit për kundërshtimin e zgjatjes së afateve të hetimit, duke bllokuar në këtë mënyrë mbledhjen e të dhënave të plota për të vërtetuar dyshimet e krijuara gjatë hetimit për mundësitë e konsumimit të veprave penale, për të cilat akuzohen personat nën hetim.
Sipas “GSH” në datën 10.11.2014, prokuroria e Elbasanit ka vendosur zgjatjen e afateve të hetimit, i cili ka filluar në datën 02.05.2014, në bazë të kallëzimit të ILDKPKI. Kjo për shkak të pritjes së përgjigjeve të letër-porosive të dërguara tek autoritetet franceze dhe gjermane për pasuritë e shtetasit Ë. Mehlber, ish-bashkëshorti dhe ish-ortaku në biznese i Elona Çaushit. Sipas hetuesve të çështjes, të dhënat e kërkuara në letër-porosi janë shumë të rëndësishme për hetimin, pasi pasuria e dyshuar si e deklaruar në mënyrë të rreme nga Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, ka të deklaruar si burim kryesor fitimet nga bizneset e krijuara nga e dyshuara Çaushi në bashkëpunim me gjermanin Mehlber.
Për prokurorinë e Elbasanit, e gjithë ecuria e këtij hetimi është penguar në vijimësi nga ana e gjykatës së këtij qyteti.
Pas dërgimit të letër-porosive, Prokuroria vendosi zgjatjen e afatit të hetimeve. Kjo zgjatje e afatit të hetimeve u kundërshtua në gjykatë në gusht të vitit që shkoi nga i dyshuari, Gjin Gjoni. Gjykata vendosi që kërkesa të shqyrtohej nga një gjyqtar i gatshëm. Kjo në kundërshtim flagrant me procedurën, e cila parashikon se shqyrtimi i kësaj kërkese i takon gjyqtarit që është shprehur fillimisht për caktimin e masës ndaluese. Pavarësisht kërkesës së prokurorisë për përjashtimin e gjyqtarit të dytë dhe kalimin e kërkesës për shqyrtim të kundërshtimit të paraqitur nga Gjin Gjoni, sërish tek gjyqtari që e ka marrë në shqyrtim çështjen që në fillim, gjykata në kundërshtim të plotë me ligjin procedurial, e rrëzoi pretendimin e prokurorisë.
Gjyqtari i ri Sulejman Kurti në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së Gjin Gjonit, më 13.02.2015 vendos pranimin e kërkesës për kundërshtimin e vendimit të prokurorit për zgjatjen e afateve. Prokuroria e Elbasanit po përgatit ankimin kundër vendimit të gjykatës së Elbasanit, e cila nuk pranoi zgjatjen e afatit të hetimit.