Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Prokuroria e Elbasanit kërkon refuzimin e kërkesës për ekstradimin e ruses Svetlana Timofeeva

Shkruar nga Newsbomb
Prokuroria e Elbasanit kërkon refuzimin e kërkesës për

Shtetasja ruse, Svetlana Timofeeva u shfaq të martën në Gjykatën e Elbasanit pa syzet e saj dhe e ndoqi seancën e konkluzioneve mbi kërkesën e Rusisë për ekstradimin e saj me shikim të reduktuar. Prokuroria u përfaqësua në këtë seancë nga drejtuesi i saj, Kreshnik Ajazi, ndërsa mbrojtja nga avokati i Timofeevës, Fatmir Lushi.

Ndryshe nga parashtrimet e datës 17 mars, prokurori Ajazi tha në gjykatë se mbështeste refuzimin e kërkesës për ekstradimin e Timofeevës në Rusi.

Ai e mbështeti qëndrimin e tij në faktin se Federata Ruse e ka përjashtuar veten prej një viti nga angazhimi për zbatimin e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; te sanksionet e OKB-së dhe BE-së për shkak të luftës në Ukrainë si dhe te procedimi penal në Shqipëri, hetimet e së cilit janë në vijim.

Svetlana Timofeeva, 34 vjeç, u arrestua më 20 gusht së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh. Zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spray me piper kundër tyre.

Tre të arrestuarit njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtarake të “Luftës së Ftohtë”.

Megjithatë, prokuroria shqiptare i akuzon ata për spiunazh dhe pretendon se treshja kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur informata ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare.

Pala mbrojtëse e përfaqësuar nga avokati Fatmir Lushi i vlerësoi konkluzionet e Prokurorisë dhe theksoi se ekstradimi drejt Rusisë përbën shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ai shtoi gjithashtu se Timofeevës do t’i rrezikohej jeta nëse do të ekstradohej në Rusi, duke përmendur edhe raste të tjera të ngjashme.

“Nuk mund të kujtohet gjykata ruse për një çështje të vitit 2018, ku Timofeeva ka qenë person në dijeni të fakteve dhe jo e përfshirë për të nxjerrë një vendim arrest me burg e më pas një kërkesë për esktradim. Kjo nënkupton se qëllimi i ekstradimit është politik,” tha avokati Lushi në seancë.

Vetë Timofeeva ka kërkuar rrëzimin e kërkesës ruse për ekstradim si dhe theksoi faktin se ajo ka bërë kërkesë për azil politik në Shqipëri. Pasi dëgjoi palët dhe dokumentoi konkluzionet, gjyqtari Elis Dine kërkoi kohë për shpallen e vendimit për shkak të ‘kompleksitetit të çështjes’.

Seanca e shpalljes së vendimit u caktua më 14 prill, në orën 12:15. /Birn

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese