Hapësire reklamuese

Aktualitet

Prokuroria dërgon për gjykim Shkëlqim Mirin, sa vite burg kërkon për ish-gjyqtarin e Apelit

Shkruar nga Newsbomb

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim ish-gjykatësin e Apelit të Tiranës Shkëlqim Miri, i arrestuar për korrupsion.

Prokuroria kërkon 4 vite burg për gjyqtarin Miri si dhe uljen e masës së dënimit me 1/3 pas pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar.

Ish-gjyqtari i Apelit u arrestua në 10 nëntor të vitit 2017 pas vendimit që çoi në lirimin nga burgu të një të dënuari për vrasje të dyfishtë në vitin 1998. Gentjan Doda dyshohet se pagoi shumën e 30 mijë eurove te gjyqtari dhe përfitoi lirinë nga ky i fundit.

Shuma prej 30 mijë eurosh e sekuestruar në banesën e gjyqtarit do t’i kalojë shtetit:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka dërguar për gjykim proçedimin penal nr.27 viti 2017, në ngarkim të të pandehurit Shkëlqim Miri, akuzuar për veprën penale të parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal, si dhe në ngarkim të të pandehurve Kujtim Miri, Alban Buci dhe Gentian Doda, të akuzuar për veprën penale të parashikuar nga neni 319 e 25 të Kodit Penal.

Gjatë fazës së gjykimit të çështjes është vendosur nga Gjykata ndarja e çështjes penale për të pandehurit Alban Buci dhe Gentian Doda, për shkak të mungesës së tyre. Për çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Shkëlqim Miri dhe Kujtim Miri ka vijuar gjykimi me proçedurën e gjykimit të shkurtuar.

I pandehuri Shkëlqim Miri është akuzuar se në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka marrë nga i pandehuri Kujtim Miri shumën prej 30.000 euro, me qëllim për të favorizuar shtetasin Gentian Doda në gjykimin e çështjes penale në ngarkim të këtij të fundit.

Në përfundim të gjykimit të cështjes penale, në diskutimin përfundimtar, është kërkuar nga ana e Prokurorit;

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Shkëlqim Miri për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 4 (kater) vjet burgim.

2. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale i kërkojmë Gjykatës që të ulet 1/3 e masës së dënimit me burgim.

3. Në bazë të nenit 35/2 të K.Penal të caktohet edhe dënimi plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej 3 vjet.

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kujtim Miri për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 319 dhe 25 të K.Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 2 (dy) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

5. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale i kërkojmë Gjykatës që të ulet 1/3 e masës së dënimit me burgim.

6. Në bazë të nenit 190/1, gërmat (a) dhe (ç) të K.Pr.Penale, të nenit 36/b të K.Penale, për sendet e sekuestruara të disponohet si më poshtë;

a. Shuma prej 30.000 euro të konfiskohet duke kaluar në favor të shtetit.

b. Për shumat e mbetura 144.810 euro, 1.000 usd dhe 9.605.000 lekë, të urdhërohet heqja e sekuestrimit.

c. Aparat celular Iphone me nr.0692069699 ti kthehet të pandehurit Shkëlqim Miri.

d. Aparat celular Ëiko me nr.0682088699 ti kthehet të pandehurit Kujtim Miri.

e. Sendet e tjera të sekuestruara të mbahen në ruajtje për efekt të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Gentian Doda dhe Alban Buci.

7. Shpenzimet proçedurale në hetim, në masën 37.400 lekë, si dhe ato gjyqësore, t’ju ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare.

Në diskutimin përfundimtar është kërkuar konfiskimi i produktit konkret të veprës penale për të cilën është akuzuar i pandehuri Shkëlqim Miri, që ka qënë shuma prej 30.000 euro. Në bazë të nenit 36 të Kodit Penal nuk ekziston mundësia ligjore për konfiskimin penal të shumës tjetër prej 144.810 euro, 1.000 usd dhe 9.605.000 lekë.

Ndërkohë, në datën 07.05.2018 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është rregjistruar proçedimi pasuror nr.2, datë 07.05.2018, për pasuritë në zotërim të të pandehurit Shkëlqim Miri.

Me vendimin me nr.17, datë 09.08.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë, të kryer në bazë të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar.

Konkretisht, me vendimin gjyqësor të mësipërm është vendosur sekuestrimi i vlerave monetare në shumën 174.810 euro, 1.000 usd dhe 9.605.000 lekë. Po kështu, Gjykata në bazë të nenit 5, pika (3) të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009, ka vendosur pezullimin e pasojave të zbatimit të masës së sekuestrimit, deri në dhënien e një vendimi gjyqësor penal në kuadër të proçedimit penal nr.27 viti 2018.

Pra, në kuadër të proçesit penal, bazuar në nenin 36 të Kodit Penal, ka ekzistuar hapësira ligjore për konfiskimin vetëm të shumës prej 30.000 euro, ndërsa shumat e tjera të sekuestruara gjatë hetimit penal nuk mundet që të konfiskoheshin brënda kuadrit të proçesit penal.

Ndërkohë, paralelisht vijojnë hetimet për proçedimin pasuror për konfiskimin e shumave të tjera të gjetura në banesën e të pandehurit Shkëlqim Miri. Me përfundimin e proçesit penal, shumat prej 144.810 euro, 1.000 usd dhe 9.605.000 lekë, nuk do të kthehen nga ky organ proçedues, por lidhur me këto shuma monetare do të vijojë të zbatohet masa parandaluese pasurore sipas ligjit nr.10192, datë 03.12.2009.”

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu