Prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, janë dy përfaqësuesit e SPAK të cilët po kërkojnë nga Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve lejimin e arrestimit të deputetit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Kraja u shpreh se veprat penale në ngarkim të Berishës, parashikojnë dënim me burgim nga 4 deri në 12 vite burg.
Në vendimin që lexoi para deputetëve, prokurori i SPAK tha se ata kërkojnë që masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" dhe ajo "Ndalim i daljes jashtë vendit", të zëvendësohen më masat e sigurisë "Arrest në shtëpi/Arrest në burg".
Lexo edhe: Me Petrit Vasilin por pa Gaz Bardhin, Berisha mbledh militantët para Kuvendit
Pasi Kraja përfundoi parashtrimin e kërkesës, avokati i Sali Berishës e ka pyetur përfaqësuesin e SPAK për detaje nga dosja.
"Pretendoni në kërkesë që ndryshimi i destinacionit nga kompleks sportiv në zonë banimi, është kryer nga personin nën hetim Sali Berisha. Këtë ne nuk e kemi në fashikull", pyeti avokati i Berishës, zoti Genc Gjokutaj.
Ndërkohë, Kraja nuk ka pranuar të përgjigjet duke theksuar se ky debat mbi aktet e dosjes në hetim bëhet në gjykatë dhe jo në Kuvend.
"Pyetja nuk ka lidhje me atë që ne po diskutojmë këtu. Këtë diskutim mund ta bëjmë në ambientet e gjykatës kompetente. Unë nuk kam asnjë përgjigje për këtë", u shpreh prokurori Arben Kraja. Pavarësisht përgjigje, avokati i Berishës insistoi sërish.
"Ky do të të fusi në burg po pa të të përmendur emrin. Këto akte janë firmosur nga persona të tjerë që zoti prokuror, juve i dini mirë", tha Genc Gjokutaj.
Lexo edhe: Këshilli i Mandateve, avokati i Berishës kërkon shtyrjen ose anulimin e mbledhjes