Hapësire reklamuese

Aktualitet

Prokurori i Durrësit Bledar Bejko përballet sot me vettingun

Shkruar nga Newsbomb
Prokurori i Durrësit Bledar Bejko përballet sot me vettingun

Prokurori i Durrësit Bledar Bejko do të përballet të hënën më 28 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Olsi Komici, Pamela Qirko dhe Brunilda Bekteshi.

Bledar Bejko e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, Bejko është transferuar në Prokurorinë e Fierit dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Durrës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2003, prokurori Bledar Bejko deklaronte pasuri familjare me vlerë 1.7 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare është rritur në vlerën e 16.1 milionë lekëve.

Bejko zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 10.7 milionë lekë, kursime të akumuluara në cash prej 3.7 milionë lekësh, likujditete bankare prej 818 mijë lekësh si dhe automjete me vlerë 833 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 38.2 milionë lekë, nga të cilat gati 43% kanë si burim pagën e subjektit, 33% pagën e bashkëshores dhe 22% dhuratat në cash nga familjarët.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 15 vite, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” dhuratat në cash nga të afërmit, të cilat kanë shërbyer si burime për shtimin e aseteve.

Më konkretisht, subjekti Bledar Sejko deklaron në vitin 2003 një apartament banimi me vlerë 1,450,000 lekë në bashkëpronësi me prindërit. Ky aset deklarohet në vitin 2007 me vlerë tregu 17,000 euro dhe shitet në të njëjtin vit me vlerë 81,000 euro. Nga kjo shumë, 57,000 euro i dhurohen subjektit deklarues nga prindërit në vitin 2008, të cilat së bashku me një kredi bankare 30,000 euro do shërbejnë për të blerë apartament banimi me vlerë 87,000 euro në pronësi 100% të deklaruesit.

Në vitin 2010 subjekti deklaron automjet me vlerë 3,500 euro, të ardhura të cilat janë dhuratë nga motra e deklaruesit.

Në vitin 2013, subjekti deklaron t’i ketë dhënë borxh kunatës 10,000 euro, hua e cila i rikthehet në vitin 2014.

Gjatë viteve 2013-2018, subjekti deklaron të ardhura si dhurata cash nga familjarët në vlerë totale 1,067,483 lekë. /Birn

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese