Fondi Shqiptar për Zhvillim tenderon për rikonstruksion sheshin Italia.
Të dhënat e publikuara nga Open Data Albania thonë se tenderi është shpallur në datën 24 qershor dhe afati për dorëzimin e ofertave është vendosur për 24 Korrik.
Fondi limit për rikonstruksion është 314 129 728 Lekë (rreth 2.57 milion euro). Rikonstruksioni bëhet në bazë të Projektit Konstruktiv të hartuar nga studio SGAI BALCANI “Projekti Arena Kombëtare dhe Sheshi Italia”. Punimet dhe tërësisht objekti i kontratës duhet të realizohen në kohë rekord me vetëm 3 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Më parë bashkia e Tiranës ka tenderuar për Parkimin Nën tokësor tek sheshi Italia një kontratë me vlerë pa TVSH prej 336 792 361 Milion lekë, tender i fituar nga kompania ALB STAR me kontratë të nënshkruar në Janar 2018 dhe afat punimesh 12 muaj.
Më herët Sheshi Italia përmes një Vendimi të Këshillit Bashkiak të vitit 2008 ishte përcaktuar të jepej me koncesion si parking nëntoksor duke i njohur shoqërisë që kishte paraqitur propozimin e pakërkuar edhe një bonus për konkurrim.