
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë për prokuroren e Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo), pavarësisht problemit me të ardhurat e bashkëshortit.
Prokurorja Enkeleda Osmani (Xhengo) u konfirmua në detyrë mëngjesin e së hënës, pas hetimit administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e KPK-së, e drejtuar nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Suela Zhegu.
Enkeleda Osmani (Xhengo) ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punon si prokurore në Prokurorinë e Durrësit prej gati 15 vitesh. Në vitin 2019, Osmani kandidoi për një vend në Prokurorinë e Posaçme, SPAK pa mundur që të përzgjidhet.
Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni evidentoi si problem mungesën e dokumentacionit për të ardhurat e bashkëshortit në disa kompani biznesi. Sipas relatores Bekteshi, nga hetimi kishte rezultuar diferencë e madhe mes të ardhurave të deklaruara të bashkëshortit dhe të ardhurave për të cilat Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Tatimet konfirmonte pagesën e detyrimeve tatimore, shkruan BIRN.
Prokurorja Osmani në fjalën e saj pretendoi se të gjitha të ardhurat e saj ishin të ligjshme, ndërsa fajësoi kompanitë për të cilat bashkëshorti kishte punuar për mospagimin e detyrimeve. Ajo vuri në dukje se kishte tre padi ndaj këtyre kompanive, ndërsa po ashtu theksoi se në një rast, ish-punëdhënësi e kishte pranuar përgjegjësinë dhe kishte paguar detyrimet.
07/20/2020 – NJOFTIM PËR SUBJEKTIN E RIVLERËSIMIT ENKELEDA OSMANI (XHENGO)
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 14.7.2020, për subjektin e rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo), bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më 20.7.2020, vendosi:
Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Enkeleda Osmani (Xhengo), prokurore pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës Parë Durrës.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga z. Roland Ilia, znj. Brunilda Bekteshi relatore, znj. Suela Zhegu anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.