Tirana
clear sky
5.5 ° C
5.5 °
5.5 °
31 %
5.1kmh
0 %
Sht
5 °
Die
5 °
Hën
3 °
Mar
4 °
Mër
6 °
E shtunë, 22 Janar, 2022

Pritshmëritë (i)reale për 2021

spot_img
spot_img
spot_img

Lajme të ngjashëm

Afrim Krasniqi

Ndryshimi i viteve është moment reflektimi e bilanci edhe për axhendat e prioritetet shtetërore e politike. Shqipëria e vitit 2020 u dominua nga tërmeti e pandemia, nga konsensusi në Këshillin Politik, tek prishja e tij përmes ndryshimeve kushtetuese, nga shembja e teatrit tek zgjerimi i pushtetit të një partie të vetme, nga krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë tek fushata policore me OFL, nga kryesimi i OSBE tek vrasja nga policia e një të riu dhe reagimit që çoi në ndryshime në qeveri. Shqipëria e vitit 2021 nis ndryshe, – tashmë kemi 7 anëtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe një SPAK më me përvojë, vendi ka hyrë në fushatë elektorale dhe krye-tema është procesi i vaksinimit të popullsisë.

Cilat janë pritshmëritë kryesore të 2021? Ngjarja më e rëndësishme politike pritet të jetë 25 prilli, zgjedhjet parlamentare të radhës. Debati se cila palë do të jetë fituese është më i parëndësishëm në krahasim me debatin, se a do të ketë ndryshim, çfarë pritet të ndryshojë dhe çfarë ndryshimi sjell fitorja e palëve respektive. Në terma konkretë, nëse PS siguron një mandat të tretë ruhet vazhdimësia e modelit aktual qeverisës, por shumë më i dobët në përbërje e përfaqësim, – më i kontestueshëm nga grupet kritike dhe më me pak fuqi e energji për reforma dhe ndryshime. PS nuk arriti të bëjë asnjë reformë të rëndësishme gjatë mandatit të dytë, ndaj një mandat i tretë do të ishte konsumim i shumëfishtë i pushtetit.

Treguesit e TIA, FH, BS, tregojnë se niveli i korrupsionit është rritur ndjeshëm, pushteti është centralizuar, mazhoranca ka arritur me sukses të menaxhojë varfërinë dhe axhendën politike, por pa arritur të ofrojë zgjidhje për të apo një politikë të ndryshme nga modelet e dështuara të tranzicionit. Tipari i arrogancës, i mbipushtetit, i pafuqisë për distancim nga korrupsioni dhe abuzimit me pushtetin, i bindjes së verbër ndaj shefit politik dhe i përqendrimit të pushtetit tek një rreth vicioz personash, – vijon të jetë tipar i çdo mazhorance në mandatet e dyta. Nga ana tjetër, nëse opozita siguron rotacionin politik shanset që rotacioni të shoqërohet me ndryshim thelbësor politik janë minimale.

Opozita pret të fitojë për shkak të gabimeve të palës tjetër, jo për shkak të meritave të saj. Ajo nuk është reformuar, nuk ka kryer rotacion elitash brenda saj, njësoj si pala tjetër edhe ajo vuan nga arroganca e korrupsioni, nuk ka shërbyer si alternativë e besueshme dhe nuk ka arritur të përfaqësojë shumicën e pakënaqur me qeverisjen në vend. Alternativë të tretë nuk ka, dhe për pasojë, shanset që 25 prilli të sjellë ndryshim thelbësor politik në Shqipëri, janë minimale dhe bazohen në tregues numerikë jo në përmbajtje.

Në çdo rast sistemi i ri zgjedhor dhe fushata elektorale do të ofrojnë disa risi/sfida.

E para, fushata pritet të jetë agresive në propagandë nga secila palë, shoqëruar me zgjerim të financimeve informale në mediat online dhe rivaliteti në imazh, jo në përmbajtje. Kufizimet e pandemisë mund të evitojnë mitingjet dhe të krijojnë fushatë virtuale, ku elementët populistë, ekspertët e marketingut dhe palët më të pasura financiarisht janë më të privilegjuar sesa palët me ide politike, me transparencë dhe me fokus kontakti me qytetarin.

Së dyti, procesi elektoral, për shkak të listës parapëlqyese dhe rivalitetit të ashpër për 2-4 mandate përcaktuese për mazhorancën, do të ketë kontestime të shumta dhe zgjatje të kohës që do të duhet për shpalljen e rezultatit final. Individë “të fortë” lokalë pa identitet e lidhje me politikën reale, pritet të trafikojnë parti, vota e mandate, duke rrezikuar të bëhen numrat përcaktues për mazhorancën e re parlamentare.

Së treti, cilado palë fituese do të duhet të presë javën e parë të muajit shtator 2021 të nisë mandatin e ri qeverisës, pra rreth 5 muaj nga data e zgjedhjeve, një luks i madh dhe i panevojshëm që vetëm vende me legjislacion problematik si Shqipëria mund ta kenë. Një tranzicion kaq i gjatë nëse ka rotacion do të jetë burim abuzimi e kontestimi.

Së katërti, zgjedhjet e prillit lidhen me vlerësimin e BE mbi Shqipërinë dhe zhvillimi i tyre brenda një kuadri kushtetues të pranueshëm mund të shoqërohet me vlerësim pozitiv nga Brukseli. E kundërta, – dështimi në standarde apo inicimi pas zgjedhjeve i kontestimeve, protestave, ankimimeve, etj, do të ketë impakt negativ për procesin e integrimit, siç ka ndodhur pas 1996, 2001, 2009 dhe 2017.

Së pesti, krizat reale të shqiptarëve, kriza ekonomike dhe kriza e shtetit të së drejtës, nuk priten të trajtohen seriozisht dhe as të marrin zgjidhje gjatë 2021. Zgjidhja e tyre realisht nuk është në dorën e asnjë pale të vetme politike dhe nuk mund të bëhet pa një konsensus të gjerë reformash të qëndrueshme e afatgjata. Militantët partiakë mund të ndjehen më mirë nëse fiton partia e tyre, por qytetarët do jenë në çdo rast më të varfër dhe të drejtat e tyre më të cenuara.

Së gjashti, pritshmëritë për masa kundër korrupsionit, arrestime në nivelet e larta, etj, nuk pritet të përmbushen gjatë 2021. SPAK mbetet ende strukturë e brishtë, presioni politik është ende i madh, drejtësia nuk është ende funksionale, si dhe në axhendën perëndimore ndaj Shqipërisë nevoja për stabilitet politik (edhe me politikanë të korruptuar) vijon të jetë më e madhe sesa nevoja për demokraci (edhe me politikanë të dënuar për korrupsion).

Pas tri dekadave tranzicion, viti 2021 do të duhej të ishte vit reflektimi dhe ndryshimi nga të gjithë, – qytetarët dhe politikanët, institucionet dhe partnerët. Kjo pritshmëri natyrale, fatkeqësisht mbetet ende utopi për një vend pa traditë demokratike e shtetërore të konsoliduar dhe ku fatet e tij janë të lidhura me ndjesitë dhe humorin e Njësh-it sundues, – dikur mbret apo diktator, më vonë president apo kryeministër. Pjesa liberale, moderatore dhe reformatore në shoqëri vijon të jetë pakicë ndaj pjesës së verbër militante të partive, shteti vijon të jetë punëdhënësi kryesor dhe nuk ka ende një mekanizëm garantues të të drejtave kushtetuese dhe kontrollit qeverisës. Në këtë kuptim, me ose pa rotacion, 2021 rrezikon të jetë vit i vazhdimësisë në tranzicion, një vit që do kërkojë e konsumojë sakrifica të reja, eksperimente të reja, do të shoqërohet me humbje të reja energjish dhe për pasojë, edhe me humbje shansesh të reja.

spot_imgspot_img

Më shumë

spot_imgspot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img