
“Ujërat” në Kosovë janë “trazuar” sërish.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe disa luftëtarë të tjerë të UÇK-së janë akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë si përgjegjës për afërsisht 100 vrasje.
Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Këto akuza u bënë publike vetëm 2 ditë para takimit në Uashington të delegacioneve kosovare dhe serbe, ku pala kosovare do të përfaqësohej nga Presidenti Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti.
Thaçi e Hoti anullojnë vizitën në SHBA
Menjëherë sapo akuzat u bënë publike, Presidenti Thaçi vendosi që të anullonte fluturimin drejt Uashingtonit, duke u kthyer në Prishtinë, për të mësuar më shumë rreth akuzave të ngritura ndaj tij, të cilat i ka mohuar menjëherë.
Siç njoftoi edhe i dërguari special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, takimi do të mbahej mes Vuçiç dhe kryeministrit Hoti, pas tërheqjes së Thaçit, por edhe ky takim është prishur, pasi ditën e sotme edhe kryeministri Hoti e ka anulluar vizitën e tij në SHBA.
Hoti ndodhej në Bruksel ku priste fluturimin për të udhëtuar drejt Uashingtonit, por akuzat e ngritura nga Haga kanë bërë që të ketë diskutime me orë të zgjatura, të cilat kanë sjellë edhe vendimin përfundimtar, bojkotin e takimit me palën serbe në SHBA.
Thaç dhe Veseli kanë gjetur mbështetjen e të gjithë klasës politike në Kosovë, por edhe të personaliteteve politikë në Shqipëri, që e quajnë të shenjtë luftën e UÇK-së, pasi u luftua kundër terrorit dhe genocidit serb.
Ndërkohë presidenti serb Vuçiç ditën e martë, para nisjes për në Uashington është takuar në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, duke u shprehur se mori këshilla dhe analiza të mira, ndërsa shtoi se Rusia ishte një aleate e vjetër e Serbisë.
Ende nuk kemi një reagim të ri nga Richard Grenell, pasi postimi i tij i fundit është bërë para 17 orësh, ku ka njoftuar për tërheqjen e Presidentit Thaçi, ndërsa ka shtuar se pret që takimi të zhvillohet mes Vuçiç dhe Hotit.
Edhe Kuvendi i Kosovës anulon seancën plenare për dialogun me Serbinë
Nuk dihet si është pritur tërheqja e palës kosovare nga Presidenti Trump dhe zyrtarët e tjerë që kishin organizuar këtë takim të shumëpritur, por kjo ngjarje duket se do të vonojë edhe më shumë një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës.
Pas Edhe Kuvendi i Kosovës që kishte planifikuar mbajtjen e një seance plenare për të diskutuar mbi dialogun me Serbinë, por raportohet se kjo seancë është shtyrë, për shkak edhe të anullimit të takimit në SHBA.
Ajo që mbetet ende enigmë është se përse këto akuza u publikuan vetëm dy ditë para takimit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Prokuroria e Hagës i ka ngritur këto akuza që në datën 24 prill.
Dyshimet janë të mëdha se ky është një presion i Europës mbi Kosovën, për të pranuar një marrëveshje për shkëmbime territoresh me Serbinë, marrëveshje e cila nuk pranohet në mënyrë kategorike nga populli i Kosovës dhe klasa politike.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë dukej e largët, për vetë qëndrimet që kishin palët, por tashmë duket edhe më larg, për shkak të këtyre akuzave të ngritura ndaj luftëtarëve që ishin gati të jepnin jetën për vendin e tyre.
Ajo që pritet me më shumë interes është reagimi i SHBA-së, e cila është edhe negociatorja kryesore për një marrëveshje, ndërsa njihet edhe për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës që nga lufta, shpallja e pavarësisë dhe më vonë.
Ndërkaq para pak minutash Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka vendosur në profilin e tij foton e UÇK-së, si për të treguar se kauza e asaj lufte ishte e drejtë, dhe heronjtë e UÇK-së nuk duhet të dënohen, por të nderohen.