Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Prezantohet kreu i ri i AMP, Balla: Ta ngremë në nivel të ri vetëpastrimin policor

Shkruar nga Newsbomb
Prezantohet kreu i ri i AMP, Balla: Ta ngremë në nivel të ri

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla prezantoi kreun e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

Në një ceremoni ku morën pjesë punonjësit e AMP, Balla fillimisht falenderoi vlerësoi e punën e bërë deri tani nga e Ardi Veliu dhe në këto pak javë edhe nga Dritani (Dorda).

Por edhe pse sipas Ballës AMP ka referuar pranë SPAK dhe Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm mbi 200 raste për rreth 300 subjekte, ndër ta gati 260 oficerë policie, me masa që variojnë nga arrest në burg deri tek pezullimi nga detyra ai përsëri nuk është i kënaqur dhe riktheksoi se vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është misioni parësor i mandatit si Ministër i Brendshëm.

'‘Janë goditur shumë keqbërës me grada të ulëta ndërsa fare pak me grada më të larta. Besoj se jemi të gjithë dakord, bashkë me pritshmëritë e publikut se ka ardhur momenti ta ngremë në një nivel të ri dhe standard më të lartë procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, dhe të subjekteve të tjera ndaj të cilëve ushtron mbikëqyrje AMP, siç janë Garda e Republikës dhe Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi,'' - tha Balla.

‘’Lufta kundër korrupsionit nuk nis nga jashtë nesh, por së pari brenda nesh.  Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm,’’ – vazhdoi në fjalën e tij ministri Balla.

Balla gjithashtu përmendi dhe dy ngjarjet më të bujshme që tronditën opinionin publik kohët e fundit, ajo e përdhunimit të një vajze nga 4 të rinj në Vlorë si dhe dhunimi i 13-vjeçares në një kopësht privat në Tiranë.

‘’Jeni ju ata që duhet të hetoni çdo rast mosveprimi nga Policia. Rasti i Vlorës kur një vajzë e re ra viktimë e dhunës seksuale, apo ai i kopshtit në Tiranë, janë shembujt e këqij të veprimit të vonuar dhe standardit që tashmë është vendosur. Kur një vajzë, një grua, një nënë denoncon një rast dhune, dhunë seksuale, dhunë me bazë gjinore, veprimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm, sipas një protokolli të detajuar mirë,’’ – tha Balla.

Nuk mund të linte pa përmendur edhe përgjimet dhe zbërthimin e aplikacionit ‘’Sky’’ ku u arrestua ish-drejtori i policisë Erzen Breçani, duke thënë se janë dëshmi të qarta se duhet një punë më intensive në AMP.

‘’Komunikimet në aplikacionet e koduara që implikojnë oficerë të Policisë së Shtetit janë dëshmi e qartë e nevojës për një punë intensive e pa kompromis të AMP-së, për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë brenda radhëve të Policisë së Shtetit,''- u shpreh Ministri i Brendshëm.

Në mbyllje Balla tha se Sulejmani është zgjedhur nga një proces i drejtë ku konkurruan disa kandidatë dhe se ka eksperiencën dhe njohuri të gjera mbi procesin e vetting-ut të Policisë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese