Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila po zhvillohet brenda ambienteve të selisë blu, është shoqëruar me debate të forta mes deputetëve demokratë.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë mbledhjes Gazment Bardhi është shprehur se deputetët do të marrin pjesë në proces.
Bardhi ka theksuar se kur Rithemelimi kërkon të propozojë presidentin atëherë quhet opozitë, por e kundërta ndodh kur opozita propozon presidentin pasi quhet e shitur.
“Kur ne kërkojmë që opozita të propozojë presidentin jemi ne të shitur. Kur rithemelimi kërkon që opozita te propozoje presidentin janë opozitë. Sigurisht që deputetët do marrin pjesë në proces, jo disa që s’janë bërë deputete dhe nga xhelozia thonë që presidentin e propozojnë Këshilli Kombëtar i PD.
Nëse ka kërkesa që të jete nga politika atëherë PS do thotë nëse duhet nga politika përse duhet filani nga PD dhe jo nga PS. Kriteret janë parimore dhe ndërtojnë një figure presidenti dinjitoz. Por nëse pranohet kriteri për të qenë në politike e pranojmë. Kriteret mund te diskutohen por një gjë është që ne kërkojmë ta propozoje opozita dhe këtu duhet të qendrojmë”, është shprehur.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinan Xhaferraj, i cili ka qenë i pari që ka dalë nga mbledhja tha se ndër të vetmet gjëra që u dakordësua me propozimet ishte që zgjedhja e presidentit të mos ishte fasadë për t’i shërbyer Ramës dhe që të bëhej brenda 3 raundeve.
Deputeti Sajmir Korreshi ka thënë se Grupi Parlamentar duhet të paraqiten të gjithë për të votuar.
“Grupi Parlamentar te vije këtu, te gjithë. Kjo është burrni. Te votojmë te gjithë këtu. Edhe për kreun e grupit edhe për qëndrimin e presidentit. Na thone jeni pakica. Hajdeni këtu te votojmë te gjithë Kjo është qëndrim. Ne qenkemi te Rames, tani do na quajnë te Enver Hoxhës. Keta s’qenkan”, tha ai.