Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për negociata për paqe "pa vonesë" dhe paralajmëroi se përndryshe humbjet e Rusisë do të ishin "të mëdha".
Duke folur të shtunën, Zelensky përmes një video-mesazhi tha se "negociatat për paqen, për sigurinë, për ne, për Ukrainën - kuptimplote, të drejta dhe pa vonesë - janë shansi i vetëm për Rusinë që të zvogëlojë dëmin nga gabimet e veta."
"Ne gjithmonë kemi insistuar për negociata. Gjithmonë kemi ofruar dialog, kemi ofruar zgjidhje për paqen," tha ai. "Dhe dua që të gjithë të më dëgjojnë tani, veçanërisht në Moskë. Është koha për t'u takuar. Koha për të biseduar. Është koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën."
“Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë aq të mëdha sa që disa gjenerata nuk do të mjaftojnë për t'u rikuperuar”, shtoi Zelensky.
Zelensky akuzoi gjithashtu trupat ruse për shkaktimin e një "katastrofe humanitare" duke bllokuar qytetin port të Mariupolit, për të ndaluar furnizimet që shkonin te banorët dhe duke bombarduar zonat e banuara. Ai pretendoi se Moska kishte urdhëruar trupat e saj të "bënin gjithçka, kështu që katastrofa humanitare në qytetet e Ukrainës u shndërrua në arsye që ukrainasit të punojnë së bashku me pushtuesit". Ai shtoi se veprime të tilla përbëjnë "një krim lufte".