Presidenti Aleksandër Vuçiç është detyruar të shfaqet në një video-mesazh me babain e tij, drejtuar popullit serb, për shkak të lajmit të publikuar nga mediat në Beograd që insinuan se babai i tij biologjik ishte gazetari shqiptar Fahri Musliu.
Krah të atit, Angjelko Vuçiç, presidenti i Serbisë ka thënë se është krenar për prindërit dhe familjen që ka.
Nëse jeni duke na u bashkuar tani, Newsbomb.al ka publikuar më herët këtë të shtunë një artikull që lidhet me lajmet e shpërndara nga mediat në Beograd, duke nxitur dhe një reagim të paprecedentë nga vetë i pari i shtetit serb.
Lexo edhe: Vuçiç përgënjeshtron median serbe: Gazetari shqiptar Fahri Musliu nuk është babai im!
Lajmi që është shpërndarë fillimisht nga media serbe "Danas" dhe më pas gjithë të tjerat në Serbi e rajon, pretendonte se gazetari shqiptar Fahri Musliu ishte babai biologjik i Aleksandër Vuçiç. Në fakt, vetë portali thotë se titulli dhe shkrimi janë nxjerr nga konteksti.
“Ata politikanë që mbrëmë tentuan të sulmojnë familjen Vuçiç përmes mediave të tyre, nuk sulmuan vetëm familjen tonë. Ata nuk sulmuan nënën time, gruan e babait tim, babain tim, mua... Ata sulmuan çdo familje në Serbi, duan shkatërrimin e familjeve tona dhe shkatërrimin e vendit tonë ashtu siç e shkatërruan nga viti 2000 deri në vitin 2012", shprehet Vuçiç në video-mesazh.
Presidenti i Serbisë thotë se lajmi i pavërtetë që synon familjen e tij është publikuar për ta dëmtuar atë politikisht, sepse dy ditë më parë ai ka shpërndarë Parlamentin dhe ka njoftuar zgjedhjet e reja më datë 17 Dhjetor 2023.
"Ata kanë shkruar, për ata që nuk e dinë, se njëfarë zoti Fahri Musliu është babai im, duke dashur të them se është. Unë jam krenar për babanë tim. Ai është shumë më i mirë se unë dhe unë kam mësuar shumë prej tij... Për nënën time dhe unë e di se sa e ndershme, besnike dhe e nderuar ishte ajo ndaj tij, familjes dhe vendit.
Më lejoni t'ju them edhe një herë se babai im është Angjelko, e dua pafund dhe do t'i shpëtojmë të gjitha familjet në Serbi nga ju njerëz të papërgjegjshëm, nga ju të përndjekur, nga ju që do të shkatërroni gjithçka që ka bërë ky vend", e mbylli presidenti serb video-mesazhin, duke përqafuar të atin Angjelko Vuçiç.
Ministria serbe e Informacionit dhe Telekomunikacionit tha të premten se e përditshmja Danas hodhi dyshime mbi besueshmërinë e Presidentit dhe familjes së tij me rrëfimin e saj për gazetarin shqiptar të Kosovës Fahri Musliu dhe pretendimet e rreme se ai ishte babai i Aleksandër Vuçiçit.
Në një deklaratë të ministrisë thuhet se Danas publikoi artikullin: "Një shqiptar në Beograd: Kush është Fahri Musliu për të cilin Vuçiç thotë se nuk është babai i tij?" dhe shtoi se "shkel në mënyrën më të ashpër rregullin e gazetarisë se titulli duhet të jetë në përputhje me thelbin e tregimit”.
“Botuesi i të përditshmes dhe portalit Danas me vetëdije po mashtron publikun dhe po hedh dyshime mbi besueshmërinë e presidentit të Republikës së Serbisë dhe familjes së tij… Redaktorët e dinë se kanë shkelur Kodin e Gazetarisë Serbe me titullin sensacionalist.
Ne theksojmë se kjo histori ofendon personin dhe besueshmërinë e presidentit të Serbisë, roli i të cilit sipas ligjit shpreh unitetin e shtetit, dhe se ofendon anëtarët e familjes së tij”, thuhet në deklaratën e Ministrisë serbe të Informacionit dhe Telekomunikacionit.
// Newsbomb.al