Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së deputetit demokrat Dashnor Sula, i cili tha se kandidatura e presidentit do të dalë nga lista e opozitës.
Por Balla u shpreh në emisionin “Opinion” se qëndrimi është i njëjtë, siç është rënë dakord më parë me opozitën, në raundin e dytë dhe të tretë do të propozohen kandidatët e opozitës, dhe nëse dështon zgjedhja, në raundin e katërt do të propozojë Partia Socialiste.
Megjithatë për deputetin Edi Paloka, të dyja rrugët janë lojë e kryeministrit Edi Rama, i cili s’ka ndërmend t’ia lerë presidentin opozitës, por kërkon ta legjitimojë procesin për zgjedhjen si me konsensus.
Pjesë nga debati:
Reagimi i Taulant Ballës: Dje kemi rënë dakord që në raundin e dytë dhe të tretë, nuk do të propozojmë kandidatë, dhe i takon opozitës që të propozojë. Propozimi për president duhet të vijë me firma mbështetëse nga opozita. Nëse presidenti nuk zgjidhet në këto dy raunde, në raundin e katërt do të propozojmë ne.
Blendi Fevziu: Kjo që nënkupton Balla është që PS nuk do të firmosë një kandidat tuajin.
Dashnor Sula: është e qartë deklarata e Ballës, do të thotë që në raundin e dytë dhe të tretë do të kemi kandidatë të opozitës që do të hyjë për votim. Mund të jetë gjëja më e vogël e 20 firmave. Problemi më i madh është votimi i fshehtë. Mund të jetë opsion shumë serioz për të realizuar këtë që thashë më parë.
Edi Paloka: Dy janë opsionet, nëse ka njeri naiv që beson se Rama do i lerë presidentin opozitës…Mes emrave që do të shkojë si gjoja presidenti i opozitës, do të jetë emri që do ketë rënë dakord. Kandidati i Ramës do dalë nga lista gjoja e propozuar nga opozita dhe këtu do të kemi një president konsensual. Opsioni i dytë është kjo që opozita do të propozojë gjoja tetë emra, dhe do të bien poshtë, që do të thotë se opozita gjoja u bë pjesë e procesit dhe nuk ramë dakord dhe u detyruam të zgjedhim vetë.