Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis ka refuzuar të dekretojë Sevil Shhaideh kryeministre të vendit.
Pa dhënë asnjë arsye për këtë vendim, Iohannis ka kërkuar nga Partia Social-Demokrate që të propozojë një tjetër emër për kreun e ekzekutivit.
“E kam shqyrtuar me kujdes këtë propozim dhe kam vendosur që të mos e pranoj. I kam kërkuar koalicionit fitues të zgjedhjeve që të sjellë një tjetër emër”, tha presidenti për mediat vendase.
Përveç profilit të ulët politik dhe pas sensacionit të krijuar kryesisht në mediat e huaja, pasi Sevil Shhaideh i përket besimit mysliman dhe është pjesë e minoritetit tartar, mbi këtë propozim u hodhën hije të forta dyshimi.
Shhaideh është e martuar me një biznesmen sirian që sipas mediave vendase ka raporte të mira me presidentin e Sirisë, Bashar Al Assad.
Nëse Sevil Shhaideh do të kishte marrë aprovimin e presidentit ajo do të ishte kryeministrja e parë femër, myslimane, e një vendi ortodoks, por me lidhje me presidentin Assad, i kundërshtuar nga NATO dhe BE, dy organizata ku Rumania bën pjesë.