Presidenti Bajram Begaj po merr pjesë në Takimin e radhës së Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që po mbahet në Brdo të Sllovenisë, në të cilin janë të pranishëm gjithashtu, të gjithë Krerët e Shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Brdo-Brijunit është platforma më e lartë politike rajonale, e bashkë drejtuar nga Presidentët e Sllovenisë, Sh. T. Z. Borut Pahor, dhe Kroacisë, Sh. T. Z. Zoran Milanović.
Në fjalën e tij, Begaj u fokusua në mënyrë të veçantë në mundësitë e përshpejtimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndikimin e madh e të rrezikshëm që agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka për paqen dhe sigurinë në Evropë dhe në botë, si dhe tek sfidat e situatës energjetike dhe të sigurisë ushqimore në nivel global.
Duke u ndalur tek procesi i zgjerimit, Presidenti Begaj vlerësoi rolin e bashkëkryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit dhe përpjekjet e tyre të përbashkëta për ta mbajtur integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në fokusin e BE-së, si një çështje të mirëfilli gjeopolitike me ndikim edhe për paqen dhe sigurinë e kontinentit evropian në tërësi.
“Agresioni ushtarak i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundra Ukrainës duhet të përbëjë një pikë kthese për BE-në sepse siguria nuk mund të merret si e mirëqenë, në një kohë kur aktorët e tretë janë një kërcënim real për europianizimin e rajonit”, vijoi ai.
Gjithashtu, Presidenti Begaj bëri prezent sulmet më të fundit kibernetike, të ndërmarra ndaj sistemit elektronik shqiptar të të dhënave dhe shërbimeve elektronike qeveritare nga aktorë të lidhur me agjencitë shtetërore të Iranit, si dhe masat ekstreme diplomatike të ndërmarra nga autoritetet shqiptare.
“Së fundmi, por jo nga rëndësia, ndihem i keqardhur për faktin që këtë herë nuk mundësohet nënshkrimi i një deklarate të përbashkët. Ndërsa presim që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare ta kuptojnë zgjerimin si një çështje gjeopolitike, në të njëjtën mënyrë, ne duhet të përshtatim sjelljen tonë politike në këto kohë sfiduese për vendet tona dhe rajonin”, ka thënë presidenti.