Hapësire reklamuese

Aktualitet

Prapaskenat e përfshirjes së zyrtarëve të dënuar në ligjin për Amnistinë

Shkruar nga Newsbomb
Prapaskenat e përfshirjes së zyrtarëve të dënuar

Nga: Blerina Gjoka

Qeveritë shqiptare në të shkuarën janë kujdesur që të përjashtojnë nga Amnistia Penale të dënuarit për krime të rënda, zyrtarët e dënuar për korrupsion dhe anëtarët e krimit të organizuar.

Por ndryshe nga Amnistitë e viteve të kaluara, deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve dhe Ministria e Drejtësisë i hapën rrugën të martën përfshirjes së zyrtarëve publikë të dënuar për korrupsion apo shpërdorim detyre në kategorinë e përfituesve, duke keqpërdorur një amendament të dorëzuar në Kuvend nga opozita.

Në mbledhjen e zhvilluar online të martën, relatori i komisionit, Plarent Ndreca, duke prezantuar nenet e një amendamenti të depozituar nga deputeti i grupit të njohur si Rithemelimi, Bledjon Nallbati, paraqiti edhe ndryshimin e nenit 5, ku kërkohej shfuqizimi i gërmës që lidhej me përjashtimin nga ulja e dënimit e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ky ndryshim në projektligj u jep ulje me 1 vit burg të dënuarve burra nga Gjykata e Posaçme dhe me 1 vit e gjysëm burg të dënuarve gra dhe të mitur nga e njëjta gjykatë – e cila shqyrton kryesisht vepra penale që lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe krimin e organizuar.

Ndryshimi i minutës së fundit mori bekimin e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili i pyetur nga BIRN pas mbledhjes, ia faturoi atë “amendamentit Nallbati”.

“Amendamenti i propozuar nga deputeti Bledjon Nallbati siguron parimin e barazisë para ligjit,” tha Manja përmes një mesazhi në Whatsapp.

Por ndryshe nga ç'deklaroi ministri, një dokument parlamentar i parë nga BIRN të mërkurën tregon se përfshirja e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme në kategorinë e përfituesve u propozua dhe u përfshi në draftin e miratuar nga relatori Plarent Ndreca.

Përfshirja e zyrtarëve publikë dhe e të dënuarve për krim të organizuar në kategoritë përfituese të Amnistisë Penale u denoncua të mërkurën nga përfaqësues të opozitës.

Deputeti Bledjon Nallbati mohoi të ishte ai propozuesi i kësaj pike dhe e cilësoi “diziinformim” të PS-së vendosjen e këtij propozimi në emër të tij.

“Çdo mekanizëm, çdo keqinformim apo keqpërdorim… është e papranueshme dhe nxjerr në pah se amnistia e propozuar prej tyre nuk ka qëllim të përfshijë shtresat që kanë nevojë, por synon të përdoret si mburojë për zyrtarët e korruptuar,” tha Nallbati.

Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi denoncoi keqpërdorimin e amendamentit të deputetit Nallbati, që sipas tij kishte për qëllim trajtimin e barabartë mes burrave dhe grave të dënuara dhe “nuk lidhej fare me zyrtarët e korruptuar”.

“Synimi i amendamenteve të opozitës ishte për të arritur një dokument me konsensus që Kuvendi të votonte amnistinë si një akt humanizmi, por nuk ka pasur një procedurë konsensuale parlamentare,” tha Bardhi duke e quajtur Ndrecën “mashtrues”.

Ndreca pranoi për BIRN të mërkurën se amendamenti për të dënuarit e Gjykatës së Posaçme kishte autorësinë e Komisionit dhe Ministrisë së Drejtësisë, por shtoi se ndryshimi merrte në konsideratë edhe “qëllimin që kishte pasur amendamenti i deputeti Nallbati”.

“Është amendim i dakordësuar në komision së bashku me ministrinë e drejtësisë. Pasi ne nuk mund të lejonim që të përfitonte ulje 1 vit burg një i dënuar për vrasje që e ka marzhin e dënimit 10-20 vite burg me një të dënuar për krime ndaj autoritetit të shtetit që dënohen shumë më pak,” tha Ndreca për BIRN përmes një mesazhi telefonik.

Miratimi i Amnistisë Penale kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash dhe Partia Socialiste në pushtet është duke kërkuar aleatë mes partive të opozitës për ta miratuar atë. Por sipas studiuesve të politikës, kjo po bëhet përmes një praktike jotransparente dhe në shkelje të procedurës parlamentare.

Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, i tha BIRN-it se në rastin konkret nevoja për të siguruar vota dhe nevoja për të përçarë grupe të ndryshme politike ka prevaluar më shumë se sa nevoja për të respektuar procedurën parlamentare dhe transparencën apo llogaridhënien publike.

“Përpjekja për të përdorur nisma të deputetëve të caktuar, për t'i deformuar ato dhe për t'ia përshtatur qëllimit politik përbën shkelje të thelbit të procedurës parlamentare dhe transparencës që duhet të ushtrojë parlamenti,” tha Krasniqi.

Sipas tij, nuk mundet që një komision të deformojë një amendament të ardhur nga një deputet pa praninë e tij dhe pa miratimin e tij dhe nuk mundet të marrë vendime mbi nismat e ardhura në parlament pa pyetur palën inicuese dhe pa parë argumentet që ata kanë.

“Fakti që parlamenti nëpërmjet komisionit të ligjeve e ka bërë këtë gjë dhe po kërkon ta kalojë në seancë plenare lidhet me kalkulimet politike të ditës se sa realisht me një proces amnistie”- shton ai.

Pavarësisht përplasjeve, socialistët do të vijojnë me planin për ta hedhur për votim projektligjin në seancën e së enjtes, ku shpresojnë të marrin edhe vota nga opozita.

Kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha deklaroi të mërkurën se grupi i tij në parlament nuk do të merrte pjesë në seancë dhe bëri thirrje që “askush prej nesh të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal”.

/BIRN

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese