
Kujtoi se me shtetësi gjermane në xhep dhe me njohje nga të gjitha anët, do të mund të shpëtonte nga ligji shqiptar, por Aventura e shantazhimit, përndjekjes, persekutimit e krimit kibernetik mori fund pasditen e djeshme, kur shtetasi ALDOR NINI u vu nën prangat e Policisë së Tiranës duke shkelur disa nene të Kodit Penal e duke rrezikuar disa vite burg.
Mashtruesi i shumë VIP-ave shqiptarë, shantazhuesi i shumë mediave online dhe rrjeteve sociale, u vendos në pranga me akuzën e përndjekjes pas krijimit të disa faqeve online dhe shantazhimit nëpërmjet tyre të personave të tjerë, dhe dhunës në familje.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin Aldor Nini, 40 vjeç, pasi ka përndjekur dhe dhunuar vazhdimisht bashkëjetuesen e tij, si dhe dyshohet se ka publikuar një video të saj, pa pëlqimin e saj", njoftojnë Blutë e Kryeqytetit.
Aldor Nini është drejtues i Acromax Media në Gjermani e Shqipëri dhe është përgjegjësi kryesor për mbylljen e të gjitha platformave sociale të Newsbomb.al në Facebook, Tik Tok e Instagram.
I specializuar për programe e software, Aldor Nini sipas policisë në disa raste të përsëritura kishte shantazhuar persona të tërë nëpërmjet krimit kibernetik. Ndërkohë, dhuna ndaj familjes ishte një fenomen i përsëritur kur edhe më parë sipas asaj që ka bërë të ditur edhe Newsbomb.al, në shtator 2022 u dënua për përndjekje, kërcënime, dhunë edhe nga ish-bashkëshortja Anxhela Faber.
E tani që Aldor Nini përpiqet të fshehë provat e faktet që mund ta implikojnë në vepra të tjera më të rënda, Ambasada Gjermane, apo personat e pushtetshëm me të cilët ka njohje në qeveri e bashki, duhet të rrinë larg e ta lënë drejtësinë të flasë. Ndërsa Nini do të përballet me akuza të rënda në gjykatë dy ditë më vonë.
Në Shqipëri ai mund ta kishte menduar të lehtë se duke qenë programues mund të bënte ç'të donte, në shtetin gjerman të tilla akuza do ta mbyllnin gjatë pas hekurave personin që do të merrte guximin t'i kryente.