Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Zyrtarisht nën hetim për deklarim të rremë të pasurisë, shtyhet sërish vendimi për Asllan Dogjanin

Shkruar nga Newsbomb
Zyrtarisht nën hetim për deklarim të rremë të
Ilustrim: Deputeti Asllan Dogjani dhe rruga ku ndodhet apartamenti

Ka përfunduar në GJKKO seanca që ishte duke u zhvilluar këtë të premte ndaj deputetit demokrat, Asllan Dogjani  lidhur me deklaratën e pasurisë për një apartament me vlerë 120.000 euro.

Seanca është shtyrë sërish dhe vendimi pritet të jepet nga trupa gjykuese në seancën e radhës e cila është vendosur të mbahet më 22 janar.

Prokuroria e Posaçme dërgoi më 3 dhjetor për gjykim dosjen në ngarkim të deputetit demokrat Asllan Dogjani, lidhur me deklaratën e pasurisë për një apartament me vlerë 120.000 euro, duke e akuzuar për deklarim të rremë pasurie.

Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, Asllan Dogjani ka deklaruar se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

SPAK thotë se në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë përmes pagesave cash.

Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.

Pra, SPAK ka arritur të provojë se Asllan Dogjani nuk e ka përfituar apartamentin në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen kompanisë së ndërtimit “Protial”, por në këmbim të pagesave cash.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese