Zyra e Kombeve të Bashkuara i është përgjigjur Partisë Demokratike, lidhur me kërkesën e tyre për të mos përfshirë ekspertizën e gruas së kryeministrit Edi Rama në raportet për Shqipërinë, pasi pretendojnë se bëhen të pabesueshme.
"Kredibiliteti edhe paanshmëria e produkteve te sponsorizuara nga institucionet tuaja dëmtohet rëndë në kushtet kur një nga autoret është pikërisht Linda Rama e cila për shkak te interes të drejtpërdrejtë e ka te pamundur paanshmërinë", thuhej në kërkesën e PD.
Mirëpo, Zyra e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar në lidhje me këtë kërkesë të paprecedentë, në emër të të gjithë organizatave anëtare si UNICEF, ILO, UNDP, OBSH, UNEP, UNHCR apo FAO.
Zyra e Komunikimit i ka dërguar redaksisë së portalit "Java News" qëndrimin zyrtar të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, sa i takon garantimit të integritetit dhe drejtësisë në praktikat e rekrutimit të konsulentëve që përzgjidhen për raporte të caktuara që lidhen me vendin tonë, por jo vetëm. Qëndrimi zyrtar mban datën 6 Nëntor 2024, vijon si më poshtë:
"UN Albania është e angazhuar për një proces rekrutimi transparent dhe të paanshëm, i organizuar sipas praktikave më të mira të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara.
Procesi ynë i rekrutimit të konsulentëve ndjek praktika të drejta, transparente dhe pa diskriminim në çdo hap. Kjo përfshin praktika të hapura dhe konkurruese të punësimit, me shpallje të gjerë të pozicioneve të lira, për të tërhequr një grup sa më të larmishëm dhe të kualifikuar aplikantësh.
Të gjithë konsulentët e OKB-së përzgjidhen në bazë të kushteve të mirë-përcaktuara të punës, dhe aplikantët vlerësohen sipas kritereve objektive, ekspertizës teknike përkatëse dhe përputhshmërisë strikte me udhëzimet organizative, për të siguruar që projektet të realizohen me integritet dhe pavarësi."