
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar lirimin e Mustafa Nanos nga detyra e Ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër.
Përmes një dekreti të firmosur një ditë më parë, 20 janar 2025, kreu i shtetit ka liruar nga detyra e ambasadorit Nanon, post të cilin e mbante që prej korrikut të vitit 2023.
“Presidenti Begaj dekreton lirimin e zotit Mustafa Nano nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtenshteinit, jo rezident”, shkruhet në dekret.
Në dhjetor të vitit të lamë pas, në mediat shqiptare bëri bujë lajmi se Nano ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij si ambasador.
Ky lajm u konfirmua aso kohe nga vetë Nano për median zviceriane LeCanton27.ch. I kontaktuar nga media ndërkombëtare, Nano tha se dorëheqja ka ardhur për arsye personale.
"Kjo dorëheqja e ime eshte dicka e natyres personale...", tha Mustafa Nano.
Mustafa Nano u emërua në krye të këtij posti në korrik të vitit 2023, i propozuar nga qeveria Rama dhe i emëruar nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Nano në atë kohë zëvendësoi Ilir Gjonin i emëruar në këtë post nga ish-presidenti Bujar Nishani në vitin 2013.