
Vijon në sallën e Kuvendit interpelanca mes ministres Mirela Kumbaro dhe deputetes demokrate Ina Zhupës, lidhur me zonat e mbrojtura në vendin tonë.
Gjatë fjalës së saj ministrja Kumbaro përmendi si shembull shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar dhe veçoi një projekt 75 milionë dollarë për trajtimin e ujërave të ndotura që derdhen në këtë lumë.
“75 milionë dollarë është marrëveshja me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Vjosë. E kemi shpallur mjedisin prioritet kombëtar, 480 km të Vjosës plus tre degët e lumenjve janë 12 mijë hektarë zonë e mbrojtur. Përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi shembullor me shoqërinë civile dhe partnerë ndërkombëtar, duke krijuar një model dinjitoz se si mund ta kthejmë biodiversitetin në një kartë vizite për Shqipërinë”, tha ajo.
E menjëhershme ishte edhe replika e Zhupës e cila iu drejtua Kumbaros duke i thënë se me “mashtrimet” që thotë i kujton asaj “mashtrimet” e Elva Margaritit.
“Vjosën e shpallën park kombëtar, por t’ju them një risi se sot më ke kujtuar Elvën në mashtirmet që bënte dhe paç fatin e Elvës”, tha Zhupa, teksa më tej vijoi të tregonte dhe “planin sekret” të qeverisë sa i përket zonave të Mbrojtura.
Mes ironisë ajo tha se mazhoranca po bën propagandë me projektet, teksa shton se vjedhjet i bëjnë me 5D. Ndër të tjera, deputetja tha se ligji për investimet është bërë enkas për oligarkët.
“Nëse një zonë e mbrojtur ndryshohet gjatë kohës dhe nuk është më e tillë kjo zonë humb kateogrinë dhe nuk ka ndonjë detyrim që ta kthejë. Nëse në Pish Poro ndizet një zjarr dhe digjen pyejet me parimin e përshtatmërisë është më mirë ta kthejnë në një resort se sa ta ripyllëzojnë përsëri. Kjo është mbrojtja që i garanton ministrja Mirela Kumbaro. Foli dhe unë e prisja e kam gati edhe përgjigjen sepse e di çfarë thotë sepse ju si mazhorancë keni një gjë shumë të bukur, ju i keni projektet 3D propagandën 4D dhe vjedhjet 5D. Kështu që në këtë rast që për zonat e mbrojtura mos keni përgatitur ndonjë vjedhje me 5 m me 5 minsitra. Thatë që keni rritur sipërfaqen e zonave të mbrojtura, ju mund ta rrisni mund të quani gjithë Shqipërinë si zonë të mbrojtur se me të njëjtat kritere ndërtohet si në zonë të mbojtur si në zona të pambrojtura.
Ju i keni prerë kokën ligjit të zonave të mbrojtura dhe të gjitha shifrat që mund të thoni janë kot. Ju kontributin kryesor e keni nga lumi i Vjosës nga zgjerimi i alpeve dhe nga shpallja e parkun kombëtar të Munellës. Tani ju duhet të dini që sipërfaqja u zgjerua por u hoq rezervati i lumit Gashit, edhe ai i Kardhiqit u kthye në park natyror duke i ulur shkallën e mbrotjes dhe sot Shqipëria nuk ka asnjë rezervat strikt natyror dhe ky është fakt. Vjosën e shpallën park kombëtar por t’ju them një risi se sot më ke kujtuar Elvën në mashtrimet që bënte dhe paç fatin e Elvës. Vjosa e keni shpallur park kombëtar vetëm rrjedhën e lumut pa përfshirë deltën e saj sipërfaqja e Vjosës është 13 mijë metra hektra ndërkohë vetë Delta është 19 mijë hektarë, domethënë që ke shpallur vetëm trupin dhe jo kokën. Pasi e kanë shpallur park kombëtar, kanë vendosur që degën e lumit Vjosë ta marrin dhe ta devijojnë ta çojnë për investimet strategjike të oligarkëve në Himarë”, tha Zhupa.