Komisionerja e emëruar për Zgjerim, Marta Kos, në seancën dëgjimore në Parlamentin Evropian tha se për herë të parë në 10 vjet, ekziston mundësia që një ose dy nga vendet kandidate të përfundojnë negociatat për anëtarësim.
Ajo theksoi se do të jetë e “përkushtuar” për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit dhe se do ta mbajë si parim qëndrimin se vendet kandidate duhet të anëtarësohen në bazë të meritave dhe përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim.
Gjatë fjalës së saj, Kos u shpreh se Shqipëria mund t’i mbyllë bisedimet për anëtarësimin në BE deri në vitin 2027.
“Sot, për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ekziston një mundësi reale për t'i afruar një apo dy vende nga fundi i procesit të negociatave. Mund të ndodhë që ne mund t’i përmbyllim negociatat me Malin e Zi, t’i mbyllim të gjithë kapitujt, deri në fund të vitit 2026. Me Shqipërinë deri në vitin 2027”, tha ajo.
Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht 3. Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i ka rinisur negociatat në qershor të këtij viti dhe tani po punon drejt mbylljes së tyre.
Në anën tjetër, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.