
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha do të punojë në Njësinë Nr.1 për zgjedhjet e 11 majit, duke zënë vendin e Eduart Shalsit. Ky i fundit u caktua një javë më parë drejtuesi i ri politik i PS për qarkun e Kukësit.
Lajmi bëhet me dije nga ReportTV, ku raportohet se Hoxha ka marrë përgjegjësinë elektorale për këtë zonë të kryeqytetit.
Vendimi është marrë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialite, të thirrur nga Edi Rama që përqendrua tek përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, me fokus të veçantë tek angazhimi i diasporës në procesin zgjedhor. Në mbledhje janë dhënë detyra për të rritur dhe forcuar edhe më shumë angazhimin për votën e diasporës.
Kujtojmë se më 11 janar u hap edhe procesi i regjistrimit të Diasporës, ku për herë të parë emigrantët do të kenë mundësinë të votojnë edhe pse jetojne dhe punojnë jashtë vendit. Deri tani numërohen rreth 8500 aplikime për të votuar nga diaspora.