Qeveria paralajmëron një fushatë të gjerë elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Mësohet se 16 nga 17 ministrat i janë përveshur fushatës në kërkim të votave të Partisë Socialiste, përveç Maljinda Dhukës, Ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores.
Numri më i madh i socialistëve si Adea Pirdeni, Blendi Gonxhja, Albana Koçiu, Delina Ibrahimaj dhe Igli Hasani, do të jetë i përqëndruar në qarkun e Tiranës, nën drejtimin politik të ministres së arsimit Ogerta Manastirliu. Ndërkohë që së fundmi, grupit iu bashkua edhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
Në qarkun e Vlorës do jenë Pirro Vëngu dhe Anila Denaj. Belinda Balluku në Fier ka marrë në ekipin e saj edhe Petrit Malaj, Ministrin për Financat. Ndërsa në Elbasan i bashkohet Arbjan Maznikut edhe Bora Muzhaqi, ministrja për rininë dhe fëmijët. Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja do jetë i vetëm në Lezhë. Po ashtu e vetme në detyrëm qeveritare do të jetë edhe Minsitrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Nga ana tjetër, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, do të udhëheqë “qarkun” më të madh, atë të diasporës.
Ky angazhim i deritanishëm i ministrave pritet të përmbysë edhe listën e deputetëve të dalë nga qarku i Tiranës në parlamentaret e 2021-it. Belinda Balluku, Ulsi Manja dhe Eduard Shalsi janë të ikurit për shkak të detyrave në qarqe të tjera. Ndërsa Ervin Hoxha, Adea Pirdeni, Igli Hasani dhe Blendi Gonxhja, kryesojnë listën me të rinjtë ose ata me një mandat deputeti.
Gjithë të tjerët, janë kandidatë të mundshëm për tu renditur jashtë zonës së sigurtë, përjashtim bën Luljeta Bozo që me gjasë kontributin modest në politik e mbyll në 11 maj. I vetmi nga kabineti qeveritar pa një zone zgjedhore është i pari i qeverisë, Edi Rama, ai që mban përgjegjësinë e humbjes apo meritën e fitores.