
Pas një lufte civile gati 3 vjeçare, bashkimi i demokratëve është tanimë fakt, dhe ata po shkojnë drejt zgjedhjeve të 11 majit, nën lidershipin, simbolet, logon dhe vulën që e kanë prej themelimit, prej 34 vitesh.
Ndasia që nisi në shtator të vitit 2021 kur Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar pas shpalljes së tij non-grata, pati jo pak trauma. Në fund, dhe me vendimin e pak muajve më parë ku vula i kaloi Sali Berishës dhe me gjykatë ai ligjërisht u njoh si kryetar, mund të thuhet se demokratët u unifikuan. Po nuk ndodh e njëjta gjë me Opozitën në përgjithësi. Ajo është me disa copëza dhe e fragmentuar.
Përpos ndonjë aleati tradicional që gjithnjë i ikën selisë blu para zgjedhjeve, tanimë janë dhe 4 bijëza që kanë dalë direkt nga trungu i saj. Agron Shehaj me partinë e tij “Mundësia”. Enkeleid Alibeaj me partinë “Djathtas 1912”, Lulzim Basha që de-fakto nuk ka një subjekt të regjistruar në gjykatë pasi ngeli pa vulën e PD, por emërtohet në publik si “Demokratët Euroatlantikë”, dhe Dash Shehu që edhe pse ka LSHK-në e tij, në parlament erdhi nga lista dhe votat e demokratëve.
Ndërsa bashkimi brenda tyre ka sjellë një lloj impulsi dhe energjie tek demokratët, nuk mund të thuhet e njëjta gjë brenda të djathtës. Sigurisht Partia Demokratike është në bisedime dhe shumë shpejt do të finalizojë marrëveshjen konkrete me aleatët historikë tanimë, si me Ilir Metën, Vangjel Dulen, Fatmir Mediun, Agron Dukën, Nard Ndokën, Arian Starovën, etj.
Por sa i përket atyre që janë aktualisht edhe pak më të zëshëm, një raport bashkëpunimi duket i pamundur. Janë ndërprerë tanimë të gjitha urat me Agron Shehajn, Lulzim Bashën dhe Alibeajn. Sulmet janë gjendja dhe raporti që ekziston. Mesa duket, Sali Berisha një njohës i mirë i realitetit politik, ka kuptuar se këto lëvizje do të merrnin ushqim, ajër dhe oksigjen nga trupi i PD.
Dhe për të mos lejuar asnjë iluzion të zgjasë, qëndrimet kanë qënë jo vetëm të qarta, por dhe të ashpra ndaj tyre. Qëndrime tanimë të mbajtura dhe të përsëritura në publik nga numri 2 i selisë blu, Flamur Noka. Ai e ka konsideruar “Mundësinë” e Agron Shehajt si parti të Erion Veliajt. Ndërsa është e dukshme që lufta me Alibeajn, ka përfshirë dhe partneren e tij, anëtare në Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa, hesapet janë qeruar me kohë me Lulzim Bashën, përmes batutave të përsëritura nga Berisha....
Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e ri të muajit Janar të Revistës Newsbomb.al, e cila ka dalë në treg sot (22 Janar) dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes…