
Ditën e sotme është mbledhur Kryesia e Partisë Demokratike, tanimë me kryetar partie Sali Berishën i cili ka marrë pjesë përmes një videocall nga shtëpia ku vuan dënimin prej dhjetorit masën e “arrestit shtëpiak”.
Gjatë kësaj mbledhje Sali Berisha ka zbuluar edhe datën që do të mbahet protesta kombëtare e PD. Berisha njoftoi se protesta do të mbahet më 11 korrik në orën 20.00.
Protesta do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa podiumi do të vendoset para Kryeministrisë.
“Detyra jonë është vetëm një, shpëtimi i Shqipërisë nga ky regjim. Shumë pyesin si mund të krijohet qeveria teknike. Krijohet në mënyrën më të pashmangëshme, sepse Rama nuk ka më legjitimitet. Dëshmoi në zgjedhjet e 14 majit se është i aftë të shkel çdo ligj, normë e Kushtetutë.
Një qeveri që nuk ka ligj, normë, moral qëndron në pushtet vetëm për shkak të dobësisë së opozitës, nuk duhet të qëndrojë as 24 orë.
Ne duhet t’i bëjmë të qartë anëtarëve dhe demokratëve, se nëse sot Rama po qeveris, po qeverisë për shkak të dobësive tona.
Opozita është në provën e saj më të madhe në të gjithë ekzistencën e saj, do arrijë opozita të imponojë një qeveri teknike, apo do shkojë të firmosë fitoren e radhës të Ramës dhe të ndëshkojë të gjithë Shqiptarët.
Nuk ka asnjë motiv që Rama të vazhdojë të qeverisë më tej, përveç dobësisë së opozitës, përveç mungesës së aksionit të opozitës.
Opozita duhet të angazhohet në një mobilizim të paparë më parë. Garantoj se shumë më shpejt, qeveria teknike krijohet në Shqipëri. Asgjë nuk arrihet pa sekrifica”, tha Berisha ndër të tjera.