
Sokol Kryeziu është një prej emrave të biznesmenëve të vendosur nën lupën e SPAK si të përfshirë në hetimet që po zhvillohen kundrejt Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, por kush është Sokol Kryeziu, i cili e filloi karrierën e tij si një fatorino i thjeshtë dhe tashmë pronar kompanie.
Në vitin 2016 ai është punësuar si fatorino në kompaninë Gerard-A dhe më pas ka kaluar si kontrollor. E njëjta kompani ku Kryeziu nisi rrugëtimin, kaloi më pas në pronësi të tij. Referuar dosjes hetimore të SPAK, Sokol Kryeziu e ka blerë kompaninë Gerard-A për vlerën e 33.4 milionë lekë, shumë që do ta shlyente për 6 vite. Mbetet ende e paqartë se kush është burimi i të ardhurave për Sokol Kryeziun, i cili nga një punonjës i thjeshtë, arriti të dalë në krye të një kompanie të madhe.
Në bazë të të dhënave, subjekti Gerard-A ka zhvilluar një sërë bashkëpunimesh me Bashkinë e Tiranës ku ka lidhur 20 kontrata me UKT, Drejtorinë e Pastrim-Gjelbërimit si dhe Drejtorinë Nr.2 e Punëtorëve të Qytetit.
Gjithashtu biznesmeni Kryeziu në periudhën dhjetor 2023 – janar 2024, në kohën që rezulton pronar i Gerard-A, ka bërë blerje 5 milionë lekë në galerinë NAN, subject i cili është nën kontrollin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa.
Përfshirja e Sokol Kryeziut në dosjen hetimore të Veliajt është një ndër skemat korruptive të zbardhura nga SPAK. I gjithë hetimi fakton ngritjen e një skeme kriminale nga Veliaj ku të përfshira në rrjet janë të gjitha kompanitë e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa që kanë shërbyer për kalime dhe transfera parash në vlera të konsiderueshme nga subjekte dhe inviditë të përfshirë në dosje.
Sokol Kryeziu është vendosur nën masën “detyrim paraqitje” së bashku me Fatmir Bektashin, Shkëlqim Fushën dhe Meriman Palushin. Ndërohë vetë Eron Veliaj ndodhet në ambientet e paraburgimit dhe pritet të dalë nesër përpara gjykatës për vlerësim të masës së sigurisë. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa ndodhet në “arrest shtëpiak”. Mbi kryebashkiakun e Tiranës rëndojnë akuzat e korrupsionit aktiv e pasiv, pastrim parash e mosdeklarim të ardhurash.