Gjykata e Apelit në Londër-Divizioni Civil ka rrëzuar kërkesën e kreut demokrat, Sali Berisha i cili kishte kërkuar apelimin e vendimit të “Komisionit të Posaçëm të Apelimit të Çështjeve të Emigracionit” (SIAC) për shpalljen e tij non-grata në Britaninë e Madhe.
Sali Berisha është shpallur non grata nga ish sekretarja e shtetit britanik në 19 korrik 2022, Priti Patel e cila i ndaloi hyrjen në Britaninë e Madhe të Berishës duke e cilësuar këtë të fundit për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Çështjeve të Emigracionit” e ka vlerësuar të drejtë (17 qershor 2024) vendimin e marrë nga Priti Patel.
Top Channel ka siguruar dokumentet e Gjykatës së Apelit në Londër ku shihet se avokatët përfaqësues të Berishës i janë drejtuar kësaj gjykate për leje për apelimin e vendimit të SIAC. Kjo kërkesë është ngritur në bazën e tre pretendimeve nga pala mbrojtëse.
1-SIAC gaboi në ushtrimin e diskrecionit të tij’ kur hodhi poshtë një kërkesë për zbulimin e çdo materiali që Sekretari i Shtetit kishte në datën e vendimit fillestar, kur tregoi se persona të tjerë përveç Apeluesit kishin lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionit.
2-SIAC gaboi edhe në ushtrimin e diskrecionit të tij duke u shprehur se një letër e shkruar për avokatët e Apelantit, nga GLD e datës 8 mars 2024 nuk ishte vendim i ri i cili mund të kundërshtohej pasi nuk ishte marrë personalisht nga Sekretari i Shtetit.
3-SIAC kreu shkelje të detyrës për të siguruar që anëtarët e tij të ishin të pavarur. Një prej anëtarëve të tij kishin “punuar ngushtë me Ministrinë e Brendshme për luftën kundër narkotikëve çështjet në hapësirën e politikës evropiane.
Në dokumentin e siguruar nga gazetari Muhamed Veliu, tregohet argumentimi që gjykatësja britanike ka dhënë për tre pikat e paraqitura në kërkesë teksa thuhet se nuk është konstatuar asnjë shkelje ligjore nga ana e SIAC, në lidhje me dy pikat e para të parashtruara.
Ajo jep një shpjegim të detajuar për pretendimin e tretë se SIAC shkeli pavarësinë e trupës gjykuese e për këtë fajëson avokatët e zotit Berisha.
“Për herë të parë pretendimet për njëanshmëri në apel erdhën si të gjetura nga një kërkim në internet për karrierën e zotit Golland. Nuk tregohet kur është bërë ky kërkim. Një këshillues i përgjegjshëm duhet ta kishte bërë përpara datës 19 Mars 2024.
Kjo duhej ti ishte thënë SIAC e më pas SIAC të komentonte. Apeluesi nuk jep shpjegime se përse nuk iu dha mundësia SIAC të komentonte. Kjo më shkakton shqetësim pasi këshilluesit e apelantit në mënyrë të qëllimtë, nuk e ngritën këtë shqetësim në SIAC por e ruajtën për ta përdorur, në këtë aplikim në këtë gjykatë. Në tilla kushte unë nuk mund ti japë peshë pretendimit për anësi” shprehet në vendim gjykatësja britanike.
Në pikën 40 të vendimit gjykatësja Justice Elisabeth Laing mbërrin në përfundimin se “nuk ka arsye bindëse për të shqyrtuar apelin e propozuar”.
Dokumeni paraqet vendimin e marrë në 23 tetor 2024 nga gjykatësja e apelit, Lady Justice Elisabeth Laing, e cila ka refuzuar kërkesën bërë nga avokatët e Berishës për apelim të vendimit.