
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, do të nisë ditën e nesërme vizitat zyrtare në Suedi dhe në Finlandë, ku do të qëndrojë për dy ditë në të dyja vendet respektive.
Ministri Hasani, ndalesën e parë do t’a bëjë në kryeqytetin suedez në Stokholm, ku do të pritet nga homologu i tij, Tobias Billström, Kryetari i Parlamentit suedez Andreas Norlén dhe Ministrja për Çështjet e Bashkimit Evropian, Jessika Rosëall.
Gjatë qëndrimit dy ditor në Suedi, Ministri Hasani do të ketë takime me grupe interesi dhe agjenci suedeze të fokusuara në drejtim të tregtisë dhe investimeve.
Fokusi i diskutimeve diplomatike me Suedinë do të jenë çështjet përsa i përket zgjerimit të Bashkimit Europian si dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në Union. Tema të tjera do të jenë edhe bashkpëunimi rajonal, agresioni rus në Ukrainë dhe mbështetja ndaj kësaj të fundit, ndërsa duke filluar që nga marsi i këtij viti kanë nisur që të bashkëpunojnë ngushtë edhe si aleatë në NATO.
Më pas, ministri do të vizitojë Finlandën në datat 12 dhe 13 qershor 2024, ku do të ketë takime me Presidentin Alexander Stubb, homologen Elina Valtonen, si dhe Ministrin për BE dhe Drejtimin e Pronësisë, Anders Adlercreutz.
Ai do të vizitojë Qendrën Evropiane për Kërcënimet Hibride në Helsinki dhe do të takohet me grupin parlamentar të miqësisë Shqipëri – Finlandë.
Disa prej temave që pritet të diskutohen gjatë qëndrimit të tij në këtë vend janë bashkëpunimi në sektorin e ekonomisë dhe turizmit dhe mbështetja e Finlandës ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, pritet që të diskutohet mbështetja për Ukrainën dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s si dhe për kryesinë e OSBE-së për vitin 2025.