Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka udhëtuar në Londër ku ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Lammy dhe Ministrin e Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret e Jashtme, Stephen Doughty.
Në fokus të takimit kanë qenë forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, shkëmbimet parlamentare, mbështetja e vazhdueshme e Mbretërisë së Bashkuar për integrimin evropian të Shqipërisë, Samiti i ardhshëm i Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Tiranë më 16 Maj 2025, si dhe thellimi i bashkëpunimit në fusha strategjike si energjia, infrastruktura, turizmi dhe bujqësia.
“Po ashtu, diskutuam për rritjen e bashkëpunimit në funksion të sigurisë rajonale, rikonfirmuam angazhimin e përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin shumëpalësh në organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajuam shtimin e investimeve britanike në Shqipëri në sektorë kyç dhe me interes të ndërsjellë”, shprehet Ministri Hasani.